Vendosni fjalën kyçe....

Hezbollahu organizon paradë të armatosur në qendër të Bejrutit



Hezbollahu zhvilloi këtë javë një paradë të armatosur në zemër të Bejrutit, në lagjen qendrore al-Hamra, duke shkaktuar zemërim të gjerë në opinionin publik dhe brenda spektrit politik libanez. Parada u interpretua si një shfaqje e qëllimshme force, që synonte të tregonte muskujt pas përplasjes së fundit me Izraelin dhe njëkohësisht të dërgonte një sinjal për planet e ardhshme të grupit.

Pamjet dhe videot e militantëve të maskuar, të pajisur me armë të rënda dhe në formacion ushtarak, u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të ashpra dhe frikë për një ringjallje të dhunës dhe pasigurisë së brendshme në një vend që ende përballet me krizë ekonomike, bllokim politik dhe tensione sociale, përcjell Jerusalem Post.

Sipas raportimeve nga mediat arabe dhe burime të brendshme në Liban, Hezbollah është në proces të një “ri-vlerësimi strategjik” dhe po shqyrton mundësinë për të reduktuar pjesërisht arsenalin e tij, duke ruajtur kapacitetet taktike si raketat e lehta dhe armët kundërtanke, por duke hequr dorë nga disa armë më të rënda.

Presioni ndërkombëtar për çarmatimin
Parada erdhi në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion të shtuar për çarmatimin e Hezbollahut. I dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë, Thomas Barak, ka kërkuar nga autoritetet libaneze të mbështesin parimin se vetëm shteti duhet të zotërojë armë dhe të kontrollojë sigurinë. Kjo kërkesë pritet të diskutohet sërish gjatë këtij muaji.

Megjithëse Hezbollah ka refuzuar publikisht idenë e çarmatimit të plotë, parada në rrugët e Bejrutit është parë si një sfidë e hapur ndaj kërkesave ndërkombëtare dhe si një test për tolerancën e shoqërisë libaneze ndaj rikthimit të militarizmit në jetën civile.

Reagimi i opinionit publik
Analistët lokalë e konsideruan paradën si një kujtesë të zymtë të së kaluarës së dhunshme të Libanit dhe një sinjal shqetësues për të ardhmen. Për shumë qytetarë, prania e njerëzve të armatosur në rrugët kryesore të Bejrutit ka ngjallur frikë për destabilizim të mëtejshëm, në një kohë kur vendi përballet me kolaps ekonomik dhe mungesë të stabilitetit institucional.