Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari amerikan Marco Rubio do të vizitojë Shqipërinë



Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan Marco Rubio, të cilin e ka ftuar zyrtarisht të vizitojë Tiranën në emër të kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati ndau një foto me senatorin Rubio, duke e cilësuar atë si një “mik të shqiptarëve” dhe duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E ftova Sekretarin Rubio të vizitojë Tiranën – Portën e Ballkanit për SHBA – për dy arsye: Së pari, sepse Shqipëria është një sukses i diplomacisë amerikane, duke kaluar nga një diktaturë komuniste në një nga vendet më pro-amerikane dhe pro-NATO në Europë. Së dyti, sepse jemi një komb i vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza, me një mesazh për më shumë dashuri dhe shërbim me përulësi në rrugën drejt BE-së”, shkroi ambasadori.

Sipas Bushatit, Rubio ka pranuar me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e rolit të saj si kontribuese në NATO, veçanërisht në dritën e zhvillimeve të fundit të diskutuar në samitin e Hagës.

Në përmbyllje të postimit, ambasadori Bushati u ndal edhe te Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur 4 Korrikun jo vetëm një festë kombëtare amerikane, por një “Deklaratë të Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën”.