
Radhë të gjata kilometrike janë krijuar në pikën kufitare të Qafë Botës, duke shkaktuar kaos dhe vonesa të gjata për udhëtarët që hyjnë në Shqipëri nga Greqia. Situata ka ardhur si pasojë e arrestimit të 14 doganierëve grekë, të cilët janë vënë nën hetim për përfshirje në një skemë të kontrabandës së mallrave.
Prej mëngjesit të sotëm, qindra qytetarë dhe automjete kanë mbetur në pritje për deri në tre orë, ndërsa kolonat janë shtrirë në disa kilometra në territorin grek.
Aktualisht, pala greke operon vetëm me dy sportele dhe ka në shërbim vetëm tre doganierë, duke reduktuar ndjeshëm ritmin e përpunimit të udhëtarëve. Ndërkohë, pala shqiptare ka hapur tre sportele funksionale, por kapaciteti i reduktuar nga pala greke po krijon bllokime dhe vonesa të mëdha.
Autoritetet shqiptare janë në gatishmëri për të përballuar fluksin dhe po monitorojnë situatën nga afër, ndërkohë që qytetarëve u bëhet thirrje për durim dhe shmangie të orareve të pikut nëse është e mundur.