
Të gjitha linjat e jashtme të furnizimit me energji elektrike për centralin bërthamor të Zaporizhjës në Ukrainë, që ndodhet nën kontrollin e forcave ruse, dolën jashtë funksionit të premten, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë bërthamore, pasi centrali më i madh në Evropë – megjithëse aktualisht jashtë funksionit – ka nevojë për energji të vazhdueshme për të ftohur lëndën bërthamore dhe për të shmangur mbinxehjen, përcjell REL.
Sipas IAEA-së, ndërprerja ndodhi në orën 17:36 me orën lokale dhe është hera e nëntë që centrali mbetet pa furnizim të jashtëm me energji që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe hera e parë që nga fundi i vitit 2023.
Në mungesë të energjisë nga rrjeti, centrali po furnizohet aktualisht nga gjeneratorë emergjentë me naftë, të cilët janë parashikuar të sigurojnë rrymën për një kohë të kufizuar. “Kjo thekson gjendjen jashtëzakonisht të rrezikshme të sigurisë bërthamore,” tha IAEA përmes një postimi në platformën X.
Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, deklaroi se një sulm rus ishte përgjegjës për dëmtimin e linjës që lidh centralin me rrjetin elektrik të Ukrainës. “Armiku goditi linjën e energjisë që lidh centralin, i cili ndodhet përkohësisht nën pushtim, me sistemin energjetik të integruar të Ukrainës,” shkroi ai në Telegram.
Ndërkohë, autoritetet e vendosura nga Rusia në central nuk dhanë menjëherë një shpjegim për ndërprerjen e energjisë, por konfirmuan se pajisjet janë në një gjendje të sigurt dhe të kontrolluar. “Arsyet për shkëputjen janë duke u sqaruar. Nuk janë vërejtur shkelje të kushteve të sigurisë,” u tha në një deklaratë të menaxhmentit.
Zaporizhja ndodhet në afërsi të vijës së frontit të konfliktit dhe IAEA ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e një aksidenti bërthamor për shkak të situatës së paqëndrueshme dhe bombardimeve të vazhdueshme në zonë. Të gjashtë reaktorët e centralit janë të fikur, por lënda bërthamore brenda tyre kërkon ftohje të përhershme për të shmangur rreziqe potenciale katastrofike.