Kolonizatorët britanikë kryen “gjenocid” kundër popullit aborigjen në shtetin australian të Viktorias pasi mbërritën në zonë në fillim të viteve 1830, tha një komision që heton padrejtësitë kundër popullsisë indigjene.
Kolonizimi i Viktorias, shtetit të dytë më të vogël të Australisë, i vendosur në juglindje të vendit, ndodhi midis viteve 1834 dhe 1851.
Gjatë asaj periudhe, popullsia e saj indigjene pësoi “shkatërrim fizik pothuajse të plotë”, duke rënë nga rreth 60,000 në 15,000, sipas një raporti të publikuar të martën nga Komisioni i Drejtësisë Yoorrook.
Krimet e kryera nga britanikët në Viktoria përfshinin “vrasje masive, sëmundje, dhunë seksuale, pengim të përdorimit të gjuhës, fshirje kulturore, degradim mjedisor, largim të fëmijëve dhe asimilim”, tha ai.
“Ky ishte gjenocid”, vendosi komisioni pasi mbajti më shumë se dy muaj seancash dëgjimore publike dhe dëgjoi rrëfimet e mbi 1,300 aborigjenëve.
Raporti sugjeroi rreth 100 rekomandime për të “ndrequr” dëmin e shkaktuar ndaj aborigjenëve nga “pushtimi dhe dhuna”, duke përfshirë pagesën e dëmshpërblimeve dhe dhënien e kompetencave vendimmarrëse Asamblesë së Parë të Popullit të Viktorias.
Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, tha në një deklaratë se e mirëpriti raportin dhe se qeveria e saj do t’i shqyrtonte gjetjet e tij.
“Procesi i të treguarit të së vërtetës në Viktoria është një mundësi historike për të dëgjuar historitë e së kaluarës sonë që janë varrosur, këto janë histori që të gjithë viktorianët duhet t’i dëgjojnë”, deklaroi Allan.
Komisioni i Drejtësisë Yoorrook u krijua në vitin 2021, duke u bërë i pari i këtij lloji në Australi. Hetime të ngjashme formale “për të treguar të vërtetën” po zhvillohen aktualisht në shtete të tjera, shkruan RT.
Muzeu Australian tha më parë se kishte të paktën 270 masakra të kryera nga kolonistët kundër australianëve aborigjenë midis fundit të shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 20-të “si pjesë e një përpjekjeje të sanksionuar dhe të organizuar nga shteti për të zhdukur njerëzit e Kombeve të Para”.
Për shkak të këtyre veprimeve, popullsia indigjene në Australi ra nga rreth 1-1.5 milion në më pak se 100,000 deri në fillim të viteve 1900, sipas muzeut.