Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti pret deputetët britanikë në Prishtinë, në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe siguria



Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster, me të cilët diskutoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin në fusha kyçe si ekonomia, tregtia dhe mbrojtja.

Në fokus të bisedës ishte pjesëmarrja e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare Defender Europe 2025, si dhe përparimi i vendit në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Kurti theksoi se gjatë katër viteve të fundit, numri i ushtarëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës është rritur me 123%, ndërsa janë bërë edhe investime të rëndësishme në armatim dhe pajisje ushtarake.

Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e industrisë ushtarake si një drejtim i ri strategjik për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në aspektin ekonomik, Kurti foli për sektorët me potencial të lartë për investime, me theks të veçantë në infrastrukturën hekurudhore dhe teknologjinë, ndërsa ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, samiti i ardhshëm i të cilit do të mbahet në Londër.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO, për të cilin Kurti e cilësoi si thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe shprehën përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Në përfundim të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithëpartiake të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kësaj aleance në proceset zhvillimore dhe integruese të vendit.