
Mijëra banorë dhe turistë janë detyruar të evakuohen nga zona të ndryshme në jug të ishullit të Kretës, pasi zjarret e fuqishme, të nxitura nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, kanë përfshirë rajonin.
Sipas autoriteteve greke, mbi 5.000 persona – përfshirë rreth 3.000 turistë dhe 2.000 banorë – janë larguar nga zonat përreth qytetit turistik Ierapetra gjatë natës së së mërkurës, si masë paraprake për të shmangur rrezikun e flakëve.
“Evakuimet janë kryer në shumë hotele dhe turistët janë strehuar të sigurt në një palestër të mbyllur në komunën e Ierapetras,” deklaroi nënprefekti Yannis Androulakis për median lokale.
Presidenti i Shoqatës Rajonale të Hoteleve, Yorgos Tzarakis, konfirmoi se evakuimet janë bërë kryesisht gjatë natës, për të shmangur çdo rrezik për jetën e njerëzve, përcjell REL.
Zjarret shpërthyen fillimisht pranë bregdetit jugor të Kretës dhe aktualisht janë tre fronte aktive që po përhapen me shpejtësi, ndihmuar nga erërat e fuqishme. Avionët zjarrfikës nuk kanë mundur të ndërhyjnë gjatë natës për shkak të kushteve të vështira.
Në terren janë angazhuar rreth 270 zjarrfikës, 10 helikopterë dhe dronë për të përballuar situatën, sipas zëdhënësit të shërbimit zjarrfikës, Vassilios Vathrakoyannis.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore po bëjnë që zjarret të jenë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra në rajonin e Mesdheut, veçanërisht gjatë verës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin zonat e rrezikuara.