
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal në luftën kundër punës së paformalizuar dhe në menaxhimin e migracionit të rregullt.
Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor përshpejtojnë rrugën drejt integrimit evropian, këto çështje po shndërrohen në sfida të përbashkëta që kërkojnë zgjidhje të bashkërenduara.
Takimi u zhvillua në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë dhe mblodhi përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Punës të Shqipërisë dhe homologëve të tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Aktiviteti u mbështet nga Qeveria Gjermane përmes GIZ dhe u zbatua nga organizata ASDO.
Ai u fokusua në ndarjen e përvojave dhe praktikave të mira për menaxhimin e migracionit të punës ndërkufitare, luftën kundër informalitetit dhe promovimin e punës së denjë sipas standardeve evropiane.
Kryeinspektori Eljo Mucaj theksoi rëndësinë e qasjes së përbashkët rajonale: “Tashmë është e qartë për të gjithë ne që vetëm përmes një qasjeje të përbashkët rajonale mund të garantojmë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe të luftojmë në mënyrë efektive informalitetin. Kjo marrëveshje nuk është vetëm një akt formal, por një angazhim konkret për të ndërtuar besim dhe koordinim praktik mes institucioneve tona.”
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e ASDO, Ada Ilia, u shpreh se takimi nuk ishte thjesht një forum formal, por një hap konkret drejt ndërtimit të një rrjeti funksional bashkëpunimi. “Ky projekt është përgjigje ndaj zhvillimeve dinamike të migracionit ndërkufitar në Ballkan dhe synon të ndërtojë ura bashkëpunimi të qëndrueshme, që shkojnë përtej protokolleve dhe krijojnë mekanizma funksionalë për menaxhimin e përbashkët të sfidave,” tha ajo.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe prezantimi i një studimi të detajuar nga ekspertja Senida Mesi mbi punën e pasigurt dhe migracionin ndërkufitar.
Gjetjet theksonin përmasat e fenomenit të punës së paformalizuar, mungesën e kontratave të punës dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese për lëvizjen e lirë, duke nënvizuar nevojën për struktura të përbashkëta inspektimi dhe qasje të koordinuara.
Në përfundim të takimit, palët u dakordësuan për disa hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit:
Emërimi i pikave të kontaktit në secilin vend për të lehtësuar bashkëpunimin praktik;
Zbatimi i një marrëveshjeje trepalëshe për inspektime ndërkufitare;
Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta për ndërgjegjësim mbi migracionin e rregullt dhe të drejtën në punë të denjë.
Ky takim është pjesë e projektit “Përmirësimi i Menaxhimit të Migracionit të Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar në Rajon” dhe konsiderohet si një hap strategjik për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin e standardeve në nivel rajonal.