Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Denaj: Synojmë një bujqësi konkurruese dhe evropiane, kemi rritur financimin dhe investimet


Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se qeveria po synon një model të ri zhvillimi për bujqësinë shqiptare, të orientuar drejt tregjeve europiane dhe rritjes së konkurrueshmërisë.

Në një takim me sipërmarrës dhe fermerë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Denaj foli për arritjet e dekadës së fundit dhe vizionin për sektorin bujqësor deri në vitin 2030.

Ministrja tha se sipërfaqja e kultivimit në serra është trefishuar, eksportet bujqësore janë pesëfishuar në 80 tregje ndërkombëtare, ndërsa është rritur ndjeshëm mbështetja financiare për bujqësinë.

Ajo nënvizoi gjithashtu investimet e bëra në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore.

“Kam kënaqësinë të nisim një tryezë të përbashkët diskutimi dyditor, të organizuar nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Edi Rama. Fillimisht dua t’ju falënderoj për kontributin në zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agropërpunimit dhe agroturizmit. Kemi arritur shumë së bashku në dekadën e fundit”, deklaroi Denaj.

Ajo theksoi se kjo tryezë është një hap i rëndësishëm për të ndarë ide dhe për të diskutuar sfidat aktuale, por mbi të gjitha për të formësuar vizionin e Shqipërisë 2030 në sektorin bujqësor.

Sipas saj, pjesëmarrja e politikëbërësve, akademikëve dhe biznesit në këto diskutime është një mundësi e mirë për të ndërtuar një bujqësi moderne, konkurruese dhe të integruar në familjen evropiane.

“Në këto dy ditë do të kemi diskutime gjithëpërfshirëse dhe më pas do të ndahemi në tryeza të veçanta ku secili prej jush mund të japë kontributin e vet për hartimin e politikave. Konkluzionet do të mblidhen dhe do të prezantohen në mëngjesin e ditës së nesërme”, përfundoi ministrja Denaj.