Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse je burrë i mirë…”- Farage pranon ftesën e Ramës: Do të vij në Shqipëri, diskutojmë kthimin e të burgosurve


Deputeti britanik Nigel Farage ka pranuar publikisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë, pas debatit të ashpër që shpërtheu mbi pretendimin e tij se “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, Farage këmbënguli në qëndrimin e tij dhe tha se në vizitën në Shqipëri do të diskutojë për kthimin e të burgosurve shqiptarë.

“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë.”, ka shkruar Farage krahas videos, në të cilën rithekson komentet e tij të ditëve të fundit.

“Një në 50 shqiptarë në Britani është në burg. Dhe unë fola për këtë para pak ditësh në GB News. Edi Rama, ky gjigand njeri që është Kryeministër i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë se “po flas broçkulla”, se shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha: “Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil”.

Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë?

Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar.”, thotë Farage, teksa shton se ka pranuar ftesën. 

Përplasja mes Nigel Farage dhe kryeministrit Edi Rama nisi pas një deklarate të këtij të fundit për The Guardian, ku kritikoi planin e liderit laburist Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit jashtë Britanisë, duke e cilësuar këtë si një tregues se vendi pas Brexit ndodhet “në një vend shumë të errët”.

Reagimi i Farage erdhi menjëherë, përmes një interviste në GB News, ku ai akuzoi shqiptarët si faktorë kryesorë në kriminalitetin në Mbretërinë e Bashkuar dhe pretendoi se “1 në 50 shqiptarë” ndodhet në burg. Rama iu kundërpërgjigj duke e quajtur deklaratën e tij një manipulim dhe e sfidoi me fakte, madje u zotua se nëse shifra rezulton e saktë, do të pranonte kthimin e të gjithë shqiptarëve të burgosur.

Farage reagoi sërish duke e korrigjuar shifrën në “1 në 48 shqiptarë”, ndërsa Rama e hodhi poshtë edhe këtë version, duke theksuar se përllogaritja bazohet mbi një numër të pavërtetë të shqiptarëve në Britani. Sipas tij, në Britani nuk jetojnë 53 mijë shqiptarë siç pretendon Farage, por rreth 140 mijë, çka do të thotë se raporti real është “1 në 100”.

Për të mbyllur debatin, Rama e ftoi publikisht Farage të vizitonte Shqipërinë dhe të njihte nga afër realitetin dhe popullin shqiptar.