Vendosni fjalën kyçe....

Mossad drejtuar Teheranit: Ne e dimë saktësisht kush është komandanti juaj


Shërbimi izraelit i inteligjencës, Mossad, ka intensifikuar fushatën e tij të ndikimit në rrjetet sociale kundër regjimit iranian, duke shënjestruar komandën ushtarake të nivelit të lartë të Teheranit. Në një postim në llogarinë e tij në gjuhën perse në platformën X, Mossad reagoi ndaj një raporti të agjencisë iraniane Tasnim që njoftoi se autoritetet nuk do të zbulojnë emrin e komandantit të ri të Shtabit Qendror “Khatam al-Anbiya”.

“Ne e dimë saktësisht kush është dhe e njohim mirë. Fatkeqësisht, informacioni më bazik fshihet nga populli iranian. Na dërgoni parashikimet tuaja për emrin e tij,” shkruhet në deklaratën e Mossad, përcjell Jerusalem Post.

Fushata online e Mossad vjen pas vrasjes së dy komandantëve iranianë muajin e kaluar në sulme ajrore të pretenduara izraelite. Regjimi ka refuzuar të publikojë identitetin e zëvendësuesit të gjeneralmajor Ali Shadmani, duke thënë se fshehtësia është për sigurinë e tij.

Në një tjetër postim të së njëjtës ditë, Mossad pretendoi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është “dorëzuar” dhe ka miratuar fillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe me Izraelin, duke e quajtur këtë veprim “fillimi i fundit të Republikës Islamike” dhe duke shpallur se “numërimi mbrapsht ka nisur.”

Këto mesazhe janë pjesë e një fushate më të gjerë ndikimi në gjuhën perse, të nisur muajin e kaluar nga Mossad. Postimet e mëparshme kanë përfshirë ironizime ndaj figurave të larta iraniane, këshilla për përdorimin e VPN-ve dhe paralajmërime ndaj qytetarëve që të mos ndërveprojnë me përmbajtjen, për të shmangur gjurmimin nga shërbimet e sigurisë.

Ndërkohë, Khamenei, i cili është 86 vjeç, u shfaq për herë të fundit në televizionin shtetëror më 26 qershor duke deklaruar se “Irani kurrë nuk do të dorëzohet”, në kontrast të plotë me pretendimet e Mossad.

Fushata publike e Mossad duket se synon të godasë besimin e brendshëm ndaj regjimit iranian përmes luftës së informacionit, ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të mbeten të larta.