
Pesë fshatra në Martanesh, Bulqizë, rrezikojnë izolim total pasi tubacioni i një hidrocentrali dëmtoi rrugën që i lidh me Krastën, duke e bërë atë pothuajse të pakalueshme, raporton BW.
Banorët protestuan duke kërkuar ndërhyrje urgjente, ndërsa prej gjashtë ditësh kanë njoftuar autoritetet pa rezultat. Shembja e tokës dhe dëmtimi i kanalit vaditës në fshatin Gjon kërcënojnë edhe banesat dhe mbjellat për shkak të mungesës së ujit në temperatura të larta.
Kryetari i fshatit Gjon, Kasem Muça thotë se ka njoftuar të gjitha institucionet por deri tani nuk ka ndërhyrje. Rruga në fjalë është asfaltuar vetëm dy vite më parë dhe lidh fshatrat Gjon, Peshk, Val, Lenë e Balenj me qytetin e Krastës.