Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi ajror izraelit lë të paktën 20 të vrarë në Gaza


Të paktën 20 palestinezë janë vrarë nga një sulm ajror izraelit që goditi një kafene të njohur buzë detit në perëndim të Gazës të hënën, sipas mjekëve dhe dëshmitarëve.

Sipas një zëdhënësi të Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi në Gaza, ekipet e shpëtimit kanë evakuuar trupat e 20 viktimave dhe dhjetëra të plagosur nga kafeneja Al-Baqa, një ambient i hapur me tenda pranë bregut të detit.

Ai shtoi se kërkimet vazhdojnë ende në një gropë të thellë të krijuar nga shpërthimi.

Isha rrugës për në kafene për të përdorur internetin, vetëm disa metra larg, kur ndodhi një shpërthim i fuqishëm,” tha Aziz Al-Afifi, kameraman në një kompani lokale prodhimi, për BBC.

Vrapova menjëherë në vendngjarje. Ishin aty kolegët e mi, njerëzit që takoj çdo ditë. Pamja ishte e tmerrshme – trupa, gjak dhe ulërima gjithandej.

Pamjet e publikuara nga aktivistë në rrjetet sociale duket se tregojnë momentin kur një raketë, që thuhet se u lëshua nga një avion luftarak izraelit, goditi zonën. Videot pas sulmit tregojnë trupa të shtrirë në tokë dhe shkatërrim të madh.

Kafeneja Al-Baqa ishte kthyer në një vend të njohur për gazetarë, aktivistë dhe punonjës në distancë, duke ofruar akses në internet dhe hapësirë pune pranë bregdetit të Gazës.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk kanë dhënë ende një koment për këtë sulm.

Sulmi ndodhi pasi Izraeli ndërmori një valë të re sulmesh ajrore gjatë natës në të gjithë Rripin e Gazës, duke detyruar qindra familje palestineze të zhvendosen, sipas dëshmitarëve.

Ekipet e shpëtimit raportuan për pesë trupa të nxjerra nga rrënojat dhe dhjetëra të plagosur të dërguar në Spitalin Al-Ahli në Gaza City.

Bombardimet pasuan një nga urdhrat më të mëdha për evakuim që nga rifillimi i luftës në mars, ndërkohë që rritet presioni ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje armëpushimi.

Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetet sociale se Netanyahu po punon “pikërisht tani” për të negociuar një marrëveshje me Hamasin.

Deklarata e tij vjen disa ditë pasi një zyrtar i lartë i Hamasit tha se ndërmjetësit kanë intensifikuar përpjekjet për një marrëveshje të re për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, por bisedimet me Izraelin mbeten të bllokuara.

Një armëpushim dy mujor u shemb në mars kur Izraeli ndërmori sulme të reja në Gaza. Marrëveshja, e nisur më 19 janar, parashikonte tre faza, por nuk shkoi përtej fazës së parë.

Pas kësaj, Izraeli vendosi një bllokadë totale për ndihmat humanitare në Gaza, që më pas e zbuti pjesërisht pas 11 javësh, nën presionin e aleatëve perëndimorë dhe paralajmërimeve për urinë masive nga organizatat ndërkombëtare.

Si pjesë e kësaj zbutjeje, u krijua organizata e diskutueshme Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

Që kur kjo organizatë mori përsipër shpërndarjen e ndihmave, janë regjistruar incidente të përditshme me të vrarë dhe të plagosur në mesin e palestinezëve që kërkojnë ndihma.

Dëshmitarët dhe mjekët kanë fajësuar Izraelin për këto sulme, ndërsa autoritetet izraelite thonë se kanë qëlluar vetëm “të shtëna paralajmëruese” ndaj atyre që i konsiderojnë si kërcënim.

Banorët e Gaza City raportuan se dhjetëra sulme ajrore goditën lagje të populluara në lindje të qytetit, përfshirë Shujaiya, Tuffah dhe Zeitoun.

Video të postuara nga aktivistët tregojnë shpërthime që ndriçojnë qiellin e natës, flakë dhe re të mëdha tymi mbi horizontin e qytetit. Një nga sulmet goditi një shkollë në Zeitoun që po strehonte familje të zhvendosura.

Shpërthimet nuk pushuan kurrë… ndiheshin si tërmete,” tha për agjencinë Reuters Salah, 60 vjeç, nga Gaza City.

Në lajme dëgjojmë se armëpushimi është afër, por në terren shohim vdekjen dhe dëgjojmë vetëm shpërthime,” shtoi ai.

Pesë viktimat që raportohet se u vranë, ndodheshin në kampin Al Shati, në perëndim të Gaza City.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kishin urdhëruar më herët banorët që të largoheshin nga zona të mëdha në veri të Gazës, në pritje të këtyre sulmeve. Shumica e njerëzve të zhvendosur kaluan drejt pjesës perëndimore të qytetit, në vend që të shkonin drejt jugut, siç kërkonte ushtria izraelite.

Nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të linim gjithçka pas,” tha Abeer Talba, nënë e shtatë fëmijëve që iku nga Zeitoun me familjen e saj.

Na telefonuan me regjistrime në arabisht duke na thënë se ishim në një zonë lufte dhe duhej të evakuoheshim menjëherë.

Ky është hera e shtatë që detyrohemi të largohemi,” shtoi ajo. “Jemi sërish në rrugë, pa ushqim, pa ujë. Fëmijët e mi janë të uritur. Vdekja ndoshta është më e mëshirshme se kjo.

Ndërkohë që kriza humanitare thellohet, po rriten frikërat se urdhrat për evakuim dhe sulmet ajrore të vazhdueshme janë pjesë e një plani më të gjerë izraelit për të zgjeruar ofensivën tokësore në Gaza.

Megjithatë, në mediat izraelite po qarkullojnë zëra se disa gjeneralë mendojnë se objektivat ushtarake në Gaza janë drejt përmbushjes. Po ashtu, shumë ish-udhëheqës ushtarakë shprehen të shqetësuar se fushata e Gazës mund të shndërrohet në një luftë të stërzgjatur guerile, me pasoja fatale për pengjet, civilët dhe ushtarët.

Lëvizjet e ardhshme të kryeministrit Netanyahu po vëzhgohen nga afër. Edhe pse instinkti i tij ka qenë gjithmonë vazhdimi i luftës dhe shkatërrimi i Hamasit, presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar po rritet për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi.

Izraeli nisi ofensivën në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, që nga ajo kohë janë vrarë mbi 56,000 njerëz në territorin palestinez.