
Senati i Shteteve të Bashkuara ka nisur votimin për një projektligj gjigant shpenzimesh, të quajtur nga presidenti Donald Trump si “projektligji i madh dhe i bukur”, pas javësh negociatash të tensionuara midis republikanëve dhe demokratëve. Projektligji përfshin ulje të mëdha taksash dhe shkurtime në programet e ndihmës sociale, çka ka shkaktuar përçarje edhe brenda vetë kampit republikan, përcjell BBC.
Presidenti Trump ka kërkuar që ligji të miratohet përpara 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë, ndërsa votimi final në Senat pritet të zhvillohet gjatë së hënës vonë ose të martën në mëngjes. Më pas, për shkak të ndryshimeve që janë bërë, ai do të rikthehet për një votim të dytë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Procesi në Senat përfshin të ashtuquajturin “vote-a-rama”, një maratonë amendamentesh që mund të zgjasë deri në 20 orë debat. Ndër ndryshimet më të debatueshme është amendamenti i propozuar nga senatori i Floridës Rick Scott, që parashikon shkurtime të thella në Medicaid – programi i ndihmës shëndetësore për të varfrit – që mund të lërë deri në 20 milionë amerikanë pa mbulim shëndetësor.
Ndërkohë, demokratët kanë kritikuar ashpër projektligjin, duke e quajtur atë një sulm ndaj klasës së ulët dhe punëtore. Senatori demokrat Adam Schiff e cilësoi projektligjin si “të tmerrshëm”, ndërsa nënvizoi se edhe nëse kalon në Senat, nuk është e sigurt se do të marrë mbështetjen në Dhomën e Përfaqësuesve.
Votimi për të hapur debatin në Senat kaloi me rezultat të ngushtë 51 me 49. Dy senatorë republikanë – Thom Tillis dhe Rand Paul – iu bashkuan demokratëve kundër nisjes së debatit. Tillis, i cili njoftoi dorëheqjen nga politika, e kritikoi projektligjin si një tradhti ndaj premtimeve të bëra ndaj votuesve, ndërsa Paul kundërshtoi rritjen e borxhit dhe shkurtime të Medicaid.
Projektligji përfshin një sërë lehtësirash tatimore të premtuara nga Trump gjatë fushatës, si heqja e taksave për orët shtesë të punës, për bakshishet dhe përfitimet e Sigurimeve Shoqërore. Megjithatë, këto masa vijnë së bashku me autorizimin e 5 trilionë dollarëve borxh të ri, çka ka shkaktuar kritika edhe nga konservatorë të njohur si Elon Musk.
Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerëson se versioni aktual i projektligjit do të shtojë 3.3 trilionë dollarë në borxhin publik, i cili tashmë ka arritur në 36 trilionë dollarë. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar se nëse Kongresi nuk vepron për të rritur kufirin e borxhit deri në mesin e korrikut, SHBA mund të përballet me pamundësinë për të paguar detyrimet e saj që në muajin gusht.