
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, deklaroi gjatë konferencës kombëtare “Dimensioni i Integritetit në Funksionin e Magjistratit” se pavarësia e magjistratëve duhet të ecë paralelisht me një sistem efektiv llogaridhënieje, në mënyrë që publiku të ruajë besimin te drejtësia.
“Pavarësia e magjistratit nuk është privilegj personal, por një kusht thelbësor për garantimin e shtetit të së drejtës. Megjithatë, kjo pavarësi nuk mund të jetë absolute apo e pakushtëzuar. Ajo duhet të balancohet me llogaridhënien, transparencën dhe etikën në ushtrimin e funksionit”, deklaroi Metani.
Ai vuri theksin te rreziku i ndërhyrjeve në drejtësi, të cilat, sipas tij, ndodhin ende edhe pse reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të thella strukturore.
“Ndërhyrjet në drejtësi nuk janë të panjohura për ne. Ato mund të jenë të drejtpërdrejta, nëpërmjet presioneve, apo të tërthorta, përmes ndikimeve politike, mediatike apo shoqërore. Por cilado qoftë forma, ato janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë besimin e publikut te sistemi gjyqësor,” u shpreh Inspektori i Lartë.
Duke theksuar rolin e institucioneve të vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë, Metani tha:
“Është detyrë e çdo institucioni të drejtësisë që të mbrojë magjistratin nga çdo lloj presioni dhe ndërhyrjeje të jashtme, por gjithashtu të mbikëqyrë dhe të garantojë që ky magjistrat vepron me integritet, në përputhje me ligjin dhe me normat etike.”
Sipas tij, mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit nuk duhet të shihen si pengesë për pavarësinë e magjistratit, por si pjesë përbërëse e një sistemi të shëndoshë drejtësie.
“Inspektimi nuk ka për qëllim ndëshkimin e magjistratit, por garantimin e një shërbimi më cilësor për qytetarët. Ai është një mjet për të forcuar besimin te drejtësia, jo për ta rrënuar atë,” shtoi ai.
Metani nënvizoi gjithashtu se integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është vetëm çështje profesionale, por edhe morale e qytetare.
“Një magjistrat me integritet është ai që vendos drejt, pa u ndikuar nga interesa të paligjshme, pa pranuar favore apo ndërhyrje, dhe që mban përgjegjësi për çdo vendim që merr,” tha ai.
Konferenca u organizua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, ku u trajtuan çështje që lidhen me standardet e integritetit dhe etikës në sistemin e drejtësisë.