Vendosni fjalën kyçe....

Mediu në Asamblenë Parlamentare të OSBE: Shqipëria po shkon drejt autokracisë, zgjedhjet po përkeqësohen


Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ngriti akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve të 11 majit dhe standardet demokratike në vendin tonë.

Një vend anëtar i NATO-s nuk garanton votën e lirë”, deklaroi Mediu, duke theksuar se Shqipëria është në rrugën drejt autokracisë dhe se proceset demokratike po përkeqësohen ndjeshëm.

 “Nuk është se po shkojmë drejt më shumë lirisë – përkundrazi, po kalojmë nga keq tek më keq përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri”, shtoi ai.

Në fjalën e mbajtur në prani të delegatëve ndërkombëtarë, Mediu denoncoi atë që e cilësoi si blerje të votës përmes fondeve publike.

Qeveria shpërndau një bonus prej 100 eurosh nga Kryeministri për afro 800,000 pensionistë një muaj para zgjedhjeve, që përbën blerje të qartë votash”, deklaroi ai.

Ai përmendi gjithashtu faljen e gjobave me një vlerë totale prej 200 milionë dollarësh vetëm dy ditë para zgjedhjeve: “Gjobat nga 2015 deri më 2025, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, kapën shifrën e rreth 200 milionë dollarëve”.

Mediu vuri në dukje edhe abuzimet me prokurimet publike: “Rreth gjysmë miliard dollarë u dhanë për prokurime në shkelje të ligjit”, theksoi ai.

Një nga shqetësimet kryesore të tij ishte ndërthurja e pushtetit me administratën: “Administrata civile është shkrirë me qeverinë socialiste dhe po funksionon si një makinë elektorale në favor të partisë në pushtet”, deklaroi ai.

 “Dikur kemi jetuar në një regjim ku kishte një parti, një shtet – dhe sot kjo po kthehet në një problem serioz”, paralajmëroi Mediu.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua ndërhyrjes së krimit të organizuar në politikë dhe në zgjedhje.

Një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, që duhet marrë shumë seriozisht, është bashkëpunimi mes shtetit dhe krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave”, tha ai.

Ai përmendi raste të kandidatëve të panjohur që, sipas tij, kanë marrë mbështetje nga struktura kriminale: “Ka prova të qarta për këtë – ata kanë marrë më shumë vota sesa figura të spikatura që kanë qenë aktivë në politikë për shumë vite, përfshirë nga vetë partia socialiste”.

Në vijim, ai solli një shembull konkret: “Një vajzë e re, 25 vjeçe, mori 92 vota në një burg me 112 të burgosur. Kjo është një provë e qartë e ndikimit të krimit të organizuar”.

Në lidhje me sistemin e drejtësisë, Mediu kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, po përdoret kundër opozitës: “Të gjithë flasin për drejtësi të pavarur – dhe ne jemi pro drejtësisë së pavarur – por përdorimi i saj si armë politike kundër opozitës, arrestimet, ndjekjet penale dhe përpjekja për të futur të gjithë liderët e opozitës në gjykatë para zgjedhjeve nuk më bind që Shqipëria është ndryshe nga Gjeorgjia”.

Për më tepër, ai solli edhe një incident tronditës të ndodhur gjatë ditës së zgjedhjeve, ku një deputete shqiptare u përball me kërcënime: “Një kolegia ime shkoi të vëzhgonte zgjedhjet me vajzën e saj ditën e zgjedhjeve. E dini çfarë i thanë njerëzit e krimit të organizuar që kontrollonin atë zonë në qendrën e votimit? “Vajza jote është e bukur. Mund ta përdorim.” Kur kjo i thuhet një deputeteje, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm”.

Në përfundim të fjalës së tij, Mediu kërkoi që situata në Shqipëri të trajtohet me seriozitet dhe pa filtra politikë: “Duhet të hapim sytë dhe të flasim hapur. Nuk dua që disa njerëz të lexojnë vetëm gjysmën e fjalisë nga njëra anë, dhe të tjerët gjysmën tjetër nga ana tjetër. Disa lexojnë nga e majta në të djathtë si latinët, e disa nga e djathta në të majtë si arabët. Le ta themi të vërtetën siç është: këto zgjedhje ishin një farsë”.

Ai përfundoi me një deklaratë të fortë: “Ne po përballemi me një situatë shumë kritike në Shqipëri, sepse nuk kemi më sistem parlamentar. Kemi një autokraci. Dhe një autokraci nuk zhvillon kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

Fjala e plotë e Fatmir Mediut në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së:

“Faleminderit, znj. Presidente. Dua të falënderoj znj. Karimi dhe gjithashtu Bjornin dhe kolegët e tjerë nga OSCE PA që morën pjesë në misionin e vëzhgimit në Shqipëri.

Dua të nis me një pikë që Sekretari i Përgjithshëm Guterres përmendi lidhur me punën tonë dhe na komplimentoi se ne kemi për detyrë t’i bëjmë zgjedhjet më të lira. Por kur shoh raportin, është alarmante. Nuk është se po shkojmë drejt më shumë lirisë – përkundrazi, po kalojmë nga keq tek më keq përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri.

Dua të ndalem te disa nga pikat që përmendi znj. Karimi. Le të jem pak më specifik:

Qeveria shpërndau një bonus prej 100 eurosh nga Kryeministri për afro 800,000 pensionistë një muaj para zgjedhjeve, që përbën blerje të qartë votash. Po ashtu, gjobat nga 2015 deri më 2025, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, kapën shifrën e rreth 200 milionë dollarëve. Rreth gjysmë miliard dollarë u dhanë për prokurime në shkelje të ligjit.

Një tjetër problem i madh është mungesa e ndarjes së partisë nga shteti. Dikur kemi jetuar në një regjim ku kishte një parti, një shtet – dhe sot kjo po kthehet në një problem serioz. Administrata civile është shkrirë me qeverinë socialiste dhe po funksionon si një makinë elektorale në favor të partisë në pushtet.

Një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, që duhet marrë shumë seriozisht, është bashkëpunimi mes shtetit dhe krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave. Ka raste të qarta në Shqipëri ku persona të panjohur për publikun janë zgjedhur me mbështetje të krimit të organizuar. Ka prova të qarta për këtë – ata kanë marrë më shumë vota sesa figura të spikatura që kanë qenë aktivë në politikë për shumë vite, përfshirë nga vetë partia socialiste.

Do përmend një shembull: një vajzë e re, 25 vjeçe, mori 92 vota në një burg me 112 të burgosur. Kjo është një provë e qartë e ndikimit të krimit të organizuar, dhe ky ndikim shtrihet edhe në zona të tjera.

Një tjetër problem serioz në Shqipëri është drejtësia. Të gjithë flasin për drejtësi të pavarur – dhe ne jemi pro drejtësisë së pavarur – por përdorimi i saj si armë politike kundër opozitës, arrestimet, ndjekjet penale dhe përpjekja për të futur të gjithë liderët e opozitës në gjykatë para zgjedhjeve nuk më bind që Shqipëria është ndryshe nga Gjeorgjia. Dhe këtu po flasim për një vend anëtar të NATO-s, një vend me perspektivë drejt BE-së. Por duket se nuk i përmbushim as standardet minimale të NATO-s, as ato të BE-së.

Znj. Karimi përmendi edhe çështjen e pjesëmarrjes së grave. Një kolegia ime shkoi të vëzhgonte zgjedhjet me vajzën e saj ditën e zgjedhjeve. E dini çfarë i thanë njerëzit e krimit të organizuar që kontrollonin atë zonë në qendrën e votimit? “Vajza jote është e bukur. Mund ta përdorim.” Kur kjo i thuhet një deputeteje, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm.

Duhet të hapim sytë dhe të flasim hapur. Nuk dua që disa njerëz të lexojnë vetëm gjysmën e fjalisë nga njëra anë, dhe të tjerët gjysmën tjetër nga ana tjetër. Disa lexojnë nga e majta në të djathtë si latinët, e disa nga e djathta në të majtë si arabët. Le ta themi të vërtetën siç është: këto zgjedhje ishin një farsë. Dhe ne po përballemi me një situatë shumë kritike në Shqipëri, sepse nuk kemi më sistem parlamentar. Kemi një autokraci. Dhe një autokraci nuk zhvillon kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”*