
Sot në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nis procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë për çështjen “Partizani”.
Kjo është hera e parë që Berisha dhe dhëndri i tij përballen në bankën e të akuzuarve si të pandehur në një proces penal. Nuk dihet ende nëse Berisha do të jetë i pranishëm personalisht në seancë apo do të përfaqësohet nga avokatët. Ndërkohë, në orën 09:30, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Malltezit për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Procesi do të zhvillohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri (kryesuese), Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka nënkupton se procesi pritet të jetë i gjatë.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë publikë, ndërsa Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Të pandehur të tjerë janë Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina (financiere e kompanisë “Homeplan”), të akuzuar për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq janë dërguar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Berisha ndodhet nën masën “detyrim paraqitje” në prokurori, ndërsa Malltezi është në arrest shtëpiak. Procesi ndaj tyre kaloi për gjykim më 19 maj, pas shtatë muajsh pezullim.