Vendosni fjalën kyçe....

Çështja “Partizani”/ Nga shtyrja e seancës tek kërkesa për dorëheqje e gjyqtares Elsa Ulliri nga gjykimi i çështjes


Sot në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ishte parashikuar të niste procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë për çështjen “Partizani”.

Pak para nisjes së seancës, Jamarbër Malltezi e cilësoi këtë çështje si një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht dhe të orkestruar, sipas tij, nga kryeministri Edi Rama. Ai e akuzoi Ramën për ndikim të drejtpërdrejtë në proces, duke e krahasuar me personazhin negativ “Voldemort” nga “Harry Potter”.

“Që nga dita e parë kjo dihet që është një çështje qesharake politike, gjueti shtrigash ku gënjyen pasi doli që toka është e tironsve.
Menjëherë pas urdhrit të Ramës, në kongresin e PS në prill 2022 prokurorët kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit në të gjitha institucionet.
Ne do të përballemi me këtë çështje, por në thelb është një çështje pa fakt penal që nisi me kallëzim të rremë të Taulant Ballës.
Rama për SPAK-un është bërë si Voldemort-i, “he who should be named”, por ne do të përballemi me Vlodemortin”, tha ai.

Ndërkq seanca u shty për në 21 korrik 2025 pasi ish-kryemintistri Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallë. Sipas prokurorit Arben Kraja, ai nuk ishte njoftuar zyrtarisht, pasi njoftimi i është dorëzuar Malltezit, i cili nuk ka pasur kohë ta informojë.

Pas shtyrjes së seancës gjyqësore  Jamarbër Malltezi deklaroi për mediat se procesi ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë është një farsë politike.

Malltezi u shpreh se janë shkelur procedurat, pasi kreu i PD Sali Berisha nuk u njoftua për seancën të paktën 10 ditë më parë se ajo të mbahej, siç parashikohet në Kodin e Procedurës Penale, por thirrja për të ka ardhur vetëm ditën e premte.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi në rrjetet sociale pas shtyrjes së seancës, duke e cilësuar procesin si politik dhe të bazuar në një “piramidë mashtrimi”.

Berisha mohoi akuzat për korrupsion pasiv dhe tha se nuk ekziston asnjë provë ligjore që e implikon atë apo dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.

Sipas tij, prona në fjalë ka qenë gjithmonë private, ndërsa e cilësoi procesin si një “gjueti shtrigash” e mbështetur në një kallëzim të rremë të deputetit Taulant Balla.

Procesi do të zhvillohej nga trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri (kryesuese), Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.

Pas shtyrjes së seancës, gjyqtarja Elsa Ulliri dorëzoi kërkesën për të hequr dorë nga gjykimi i çështjes.

Në argumentet e saj, Ulliri deklaron se arsyeja për këtë vendim është një lidhje familjare, pasi ajo është kushërirë me deputeten e Partisë Demokratike, Andia Ulliri.

Dosja për aferën “Partizani” ka kaluar për gjykim më 19 maj 2025, vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, duke i dhënë fund një periudhe pritjeje shtatëmujore.

Në këtë proces, janë marrë të pandehur pesë individë dhe katër shoqëri tregtare, të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë publikë, ndërsa Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Të pandehur të tjerë janë Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina (financiere e kompanisë “Homeplan”), të akuzuar për pastrim parash.

Përveç individëve, në këtë dosje janë proceduar penalisht edhe katër shoqëri tregtare: “Studio Pustina” sh.p.k., “Homeplan” sh.p.k., dhe “Kontakt” sh.p.k., të gjitha të akuzuara për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale.