
Policia serbe është përplasur me një turmë të madhe protestuesish kundër qeverisë në kryeqytetin Beograd, ku dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të presidentit Aleksandar Vuçiç.
Rreth 140,000 protestues u mblodhën në qytet, në tubimin më të madh të muajve të fundit, ndërsa protestat e udhëhequra nga studentët po ushtrojnë presion të shtuar ndaj qeverisë populiste.
“Duam zgjedhje!” bërtiste turma në kor.
Forcat speciale të policisë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe granata shokuese, ndërsa dhjetëra persona u arrestuan, sipas BBC.
Presidenti Vuçiç akuzoi protestuesit për përfshirje në një komplot të huaj që synon rrëzimin e qeverisë së tij.
“Ata deshën të rrëzonin Serbinë, por dështuan,” shkroi ai në Instagram.
Të premten, pesë persona u ndaluan me akuzën se po planifikonin një grusht shteti, sipas një deklarate nga Gjykata e Lartë e Beogradit.
Pas përplasjeve, ministri i Brendshëm dënoi dhunën nga protestuesit dhe tha se përgjegjësit do të arrestohen.
Protestat e nisura muaj më parë – përfshirë mbylljen e universiteteve – kanë tronditur Vuçiçin, i cili është në mandatin e dytë që përfundon në vitin 2027, kur janë parashikuar edhe zgjedhjet parlamentare.
Sladjana Lojanoviç, një fermere 37-vjeçare nga qyteti i Shidit në veri të vendit, tha se kishte ardhur në Beograd për të mbështetur studentët. “Institucionet janë uzurpuar dhe ka shumë korrupsion. Zgjidhja janë zgjedhjet, por nuk besoj se ai (Vuçiçi) do të largohet në mënyrë paqësore,” tha ajo për agjencinë Reuters.
Presidenti serb ka refuzuar më parë kërkesat për zgjedhje të parakohshme. Koalicioni i udhëhequr nga Partia e tij Progresive mban 156 nga 250 vendet në parlament.
Kundërshtarët e Vuçiçit e akuzojnë atë dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, korrupsion, dhunë ndaj kundërshtarëve dhe shtypje të lirisë së medias – akuza që ai i mohon.
Vuçiç ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Serbia, ndonëse është vend kandidat për anëtarësim në BE, nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës.
Protestat, ku marrin pjesë studentë, opozita, mësues, punëtorë dhe fermerë, nisën në dhjetor të vitit të kaluar pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit fajësojnë korrupsionin për këtë tragjedi, e cila çoi në dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm.
Në përfundim të protestës së së shtunës, organizatorët u drejtuan protestuesve me një deklaratë të transmetuar me altoparlantë, duke i bërë thirrje serbëve që “ta marrin lirinë në duart e tyre” dhe duke u dhënë “dritën jeshile”.
“Autoritetet kishin në dorë të gjitha mjetet dhe kohën për të përmbushur kërkesat dhe për të shmangur përshkallëzimin. Në vend të kësaj, zgjodhën dhunën dhe represionin ndaj popullit. Çdo radikalizim i situatës është përgjegjësi e tyre,” thuhet në deklaratën e publikuar më vonë në Instagram.