Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania do të rritë pagën minimale në 14.60 euro deri në vitin 2027


Gjermania do të rrisë pagën minimale orare në 14.60 euro deri në vitin 2027, sipas një vendimi të marrë të premten nga Komisioni për Pagën Minimale, një organ i përbërë nga përfaqësues të sindikatave dhe punëdhënësve. Rritja do të bëhet në dy faza: fillimisht në fillim të vitit 2026 paga do të rritet nga 12.82 euro në 13.90 euro në orë dhe një vit më pas do të rritet me 0.70 euro, duke arritur në 14.60 euro në orë, përcjell DW.

Ky vendim do të thotë se një punëtor me kohë të plotë në Gjermani do të përfitojë një pagë mujore afërsisht 2,500 euro, duke e renditur vendin në vendin e dytë për nivelin e pagës minimale në Bashkimin Evropian, pas Luksemburgut, i cili aplikon një pagë minimale mujore prej 2,638 eurosh. Ndër vendet e tjera të BE-së me pagë minimale mujore mbi 2,000 euro janë Belgjika, Holanda dhe Irlanda.

Komisioni për Pagën Minimale në Gjermani shqyrton çdo dy vjet ndryshimet për të përshtatur nivelin e pagës me zhvillimet ekonomike dhe të ardhurat mesatare. Propozimi i tij duhet të miratohet nga Ministria e Punës. Vendimi i fundit vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë qytetarë gjermanë që janë në punë janë të detyruar të mbështeten në ndihmën shtetërore për të përballuar jetesën.

Në prag të zgjedhjeve të muajit shkurt, Partia Socialdemokrate (SPD), e cila tani është partnere e vogël në koalicionin me Unionin Kristian Demokrat (CDU), e kishte bërë rritjen e pagës minimale një nga premtimet kryesore elektorale. Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, deklaroi për agjencinë DPA se është pozitive që komisioni arriti një konsensus, duke e cilësuar si një shembull funksional të partneritetit social dhe theksoi se përcaktimi i pagave do të mbetet në duart e partnerëve të marrëveshjes kolektive edhe në të ardhmen.