
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të premten se shteti serb ka refuzuar një tjetër ultimatum nga faktorë të jashtëm dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas, vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar të Vidovdanit më 28 qershor, të thirrur nga studentët protestues në Beograd, përcjell REL.
“Serbia nuk e ka pranuar ultimatumin,” tha Vuçiç për televizionin Pink. “Fuqitë e mëdha të huaja kanë dërguar ultimatum përmes bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Përgjigja e shtetit ka qenë gjithmonë e njëjtë.”
Studentët që kanë bllokuar për muaj të tërë fakultetet në Beograd kanë paraqitur dy kërkesa kryesore: shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe ndërprerjen e tubimit të kundërshtarëve të tyre në qendër të Beogradit – një grup që vetëquhet “studentët që duan të mësojnë”.
Protestuesit paralajmëruan mosbindje civile nëse kërkesat nuk plotësohen deri më 28 qershor në orën 21:00, duke ftuar qytetarët të bashkohen në veprime paqësore.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka paralajmëruar mundësinë e vazhdimit të arrestimeve në prag të protestës së shtunës. Autoritetet kanë shprehur shqetësime për trazira të mundshme gjatë demonstratës, ndonëse organizatorët kanë theksuar se janë kundër çdo forme dhune.
Studentët janë në protestë që prej më shumë se shtatë muajsh, fillimisht të nxitur nga tragjedia në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën pas shembjes së një strehimi në stacionin hekurudhor të saporinovuar. Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale, ndërsa ngjarja ka nxitur debate të forta për sundimin e ligjit dhe korrupsionin në Serbi.
Protesta e Vidovdanit shihet si një moment kyç në përplasjen midis pushtetit dhe një brezi të ri që kërkon llogaridhënie dhe ndryshim në qeverisje.