
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kritikuar modelin ekonomik të qeverisë, duke e cilësuar si artificial dhe të bazuar në rritjen e punësimit në shtet.
Sipas saj, rënia e sektorëve prodhues, varësia nga turizmi dhe ulja e konsumit po thellojnë krizën ekonomike.
Tabaku thekson se “kriza e xhepave” nuk është rastësi, por pasojë e një qeverisjeje që ka braktisur prodhimin dhe favorizon një pakicë.
Ajo propozon një model ekonomik që mbështet prodhimin vendas dhe fuqizon familjet shqiptare.
Postimi:
Një ekonomi që nuk punon për qytetarin
Shqipëria po jeton një rritje ekonomike artificiale, të mbështetur vetëm nga rritja e punësimit në shtet, ndërkohë që bujqësia, industria dhe sektorët e tjerë janë në rënie. Kjo është një ekonomi që fryhet nga lart por shkretohet nga brenda.
Konsumi ka rënë. Turistët nuk mund të kompensojnë largimin e qytetarëve tanë dhe varfërimin e familjeve shqiptare. Ekonomia nuk mbahet me pushues sezonalë, por me një popullsi që punon, prodhon dhe konsumon.
Qeveria socialiste ka ndërtuar një model të paqëndrueshëm dhe pandershëm:
– Rritje artificiale nga pagat në shtet
– Tkurrje e sektorëve realë
– Varësi nga turizmi
– Shpopullim dhe rënie e konsumit
Prandaj ne propozojmë një model ndryshe: një ekonomi që mbështet prodhimin vendas, investon në bujqësi dhe industri, lehtëson barrën për sipërmarrjen dhe rikthen dinjitetin e punës dhe konsumit për çdo familje shqiptare.
kriza e xhepave nuk është rastësi – është pasojë direkte e qeverisjes socialiste.
Një qeveri që ka përqafuar klientelizmin, ka braktisur prodhimin, dhe që i shërben vetëm një pakice. Ndaj kemi këtë krizë: sepse për 12 vite nuk u ndërtua ekonomi, por fasadë për propagandë.
Shqipëria ka nevojë për më shumë sesa rritje në letër. Ka nevojë për zhvillim të vërtetë, që prek jetën e përditshme të çdo qytetari.