Vendosni fjalën kyçe....

Një fitore për Trump, Gjykata e Lartë kufizon gjyqtarët për urdhrin e shtetësisë së lindjes


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i dha një fitore të rëndësishme presidentit Donald Trump të premten, duke kufizuar fuqinë e gjykatave federale për të lëshuar urdhra kombëtarë që ndalojnë zbatimin e politikave të qeverisë, në një çështje që lidhej me përpjekjet e Trump për të kufizuar shtetësinë automatike për fëmijët e lindur në SHBA nga prindër emigrantë.

Vendimi i shumicës konservatore 6-3, i shkruar nga gjyqtarja Amy Coney Barrett, urdhëroi gjykatat më të ulëta të rishqyrtojnë urdhrat e tyre që kishin bllokuar urdhrin ekzekutiv të Trump, duke e kufizuar fushëveprimin e tyre.

 Megjithatë, vendimi nuk e lejon menjëherë hyrjen në fuqi të politikës së Trump dhe nuk u shpreh për ligjshmërinë e saj, shkruan Reuters.

Trump e përshëndeti vendimin në rrjetin e tij social Truth Social, duke shkruar: “FITORJE E MADHE në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.”

Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar nga Trump në ditën e tij të parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë, i kërkon agjencive federale të mos e njohin më si qytetar amerikan çdo fëmijë të lindur në SHBA nga prindër që nuk janë qytetarë amerikanë ose që nuk janë banorë të përhershëm ligjorë (me “green card”).

Sipas paditësve – përfshirë prokurorët e përgjithshëm demokratë të 22 shteteve, organizatat e të drejtave të emigrantëve dhe vetë disa emigrantë – urdhri do të ndikonte te mbi 150 mijë foshnje në vit, duke ua mohuar shtetësinë amerikane që nga lindja.

Gjatë seancës dëgjimore të 15 majit, administrata e Trump kërkoi nga Gjykata e Lartë që të vendoste se gjyqtarët federalë nuk kanë të drejtë të lëshojnë urdhra ndalimi në nivel kombëtar – duke shmangur shqyrtimin mbi kushtetutshmërinë e vetë urdhrit.

Në mendimin kundërshtues, gjyqtarja liberale Sonia Sotomayor e quajti qartësisht antikushtetues urdhrin e Trump dhe kritikoi shumicën për fokusimin vetëm në aspektin procedural të çështjes: “Shumica injoron plotësisht nëse urdhri ekzekutiv është kushtetues. Kjo tregon gabimin e rëndë të këtij vendimi dhe përse urdhrat ndalues universalë janë të nevojshëm.”

Ajo shtoi: “Lojërat politike të kësaj kërkese janë të dukshme dhe qeveria as nuk përpiqet ta fshehë këtë. Por është turp që edhe kjo Gjykatë po luan në të njëjtën lojë.”

Administrata e Trump argumenton se Amendamenti i 14-të i Kushtetutës, i miratuar pas Luftës Civile për t’u garantuar shtetësinë ish-skllevërve, nuk u jep shtetësi fëmijëve të emigrantëve që ndodhen ilegalisht në SHBA ose atyre që ndodhen përkohësisht, si studentë ose punëtorë me viza të përkohshme.

Por kundërshtarët e urdhrit theksojnë se precedentët gjyqësorë e kanë interpretuar Amendamentin e 14-të si garanci për shtetësinë e çdo fëmije të lindur në SHBA, pavarësisht statusit të prindërve.

 

Reagimet dhe pasojat

Organizata American Civil Liberties Union (ACLU) e quajti vendimin “shqetësues, por të kufizuar,” duke theksuar se ende ka mundësi ligjore për të mbrojtur familjet që mund të preken.

“Urdhri është hapur i paligjshëm dhe mizor. Ai nuk duhet të zbatohet për askënd,” tha Cody Wofsy, zëvendësdrejtor i projektit të të drejtave të emigrantëve në ACLU.

Prokurori i përgjithshëm i shtetit Washington, Nick Brown, tha se vendimi ishte “zhgënjyes në shumë drejtime,” por vlerësoi faktin që Gjykata konfirmoi mundësinë e dhënies së urdhrave të gjerë për të mbrojtur plotësisht paditësit.

Sondazhet tregojnë se çështja është thellësisht e ndarë në opinionin publik: një sondazh Reuters/Ipsos i kryer më 11-12 qershor tregoi se 52% e të anketuarve ishin kundër heqjes së shtetësisë nga lindja, ndërsa vetëm 24% e mbështesnin idenë.

Mbështetja ishte shumë më e madhe në mesin e republikanëve (43%) se sa e demokratëve (5%).

 

Një tjetër fitore për agjendën e emigracionit të Trump

Gjykata e Lartë, me shumicën e saj konservatore, ka marrë një sërë vendimesh në favor të administratës Trump që nga janari.

Më 24 qershor, ajo lejoi rifillimin e dëbimeve të emigrantëve në vende të treta pa mundësinë për të paraqitur rrezikun që mund t’u kanoset, ndërsa më parë kishte lejuar heqjen e statusit të përkohshëm ligjor për mijëra emigrantë.

Megjithatë, më 16 maj, ajo kishte lënë në fuqi një vendim që bllokonte dëbimet e venezuelianëve bazuar në një ligj të vitit 1798, duke e quajtur procedurën e administratës të papërshtatshme për nga aspekti i të drejtave procedurale.

Gjykata nuk ka dhënë ende një vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e urdhrit të Trump mbi shtetësinë nga lindja, por vendimi i fundit mund të hapë rrugën për hyrjen në fuqi të tij në të ardhmen, nëse nuk sfidohet me sukses në gjykatat më të ulëta.