
Gjykata e Foggias në Itali ka dënuar me burgim të përjetshëm Taulant Malajn, bukëpjekësin shqiptar 47-vjeçar, i cili më 7 maj 2023 kreu një nga krimet më tronditëse në komunitetin e Torremaggiore. Ai u shpall fajtor për vrasjen me dashje të vajzës së tij 16-vjeçare, Jessica Malaj, dhe të fqinjit të saj, Massimo De Santis.
Sipas hetimeve, Malaj ka dyshuar se De Santis kishte një lidhje me ish-bashkëshorten e tij, Tefta Malaj. Gjatë sulmit të përgjakshëm me thikë, Jessica humbi jetën teksa përpiqej të mbronte nënën e saj, e cila gjithashtu mbeti e plagosur. Ngjarja u zhvillua në sy të djalit tjetër të çiftit, atëherë vetëm 5 vjeç.
Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata urdhëroi edhe një vit e gjashtë muaj izolim gjatë ditës dhe një masë sigurie prove për tre vjet. Malaj u dënua për vrasje të dyfishtë me dashje dhe tentativë vrasjeje, me rrethana rënduese të shumta.