
Pentagoni ka dhënë detaje të reja mbi sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër objektivave iraniane, ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka mbajtur një konferencë për shtyp të tensionuar ku sulmoi ashpër mediat amerikane për raportimin e tyre kritik ndaj sulmit.
Hegseth, duke folur së bashku me gjeneralin Dan Caine, mohoi të kishte ndonjë informacion të inteligjencës që tregonte se Irani kishte zhvendosur uraniumin e pasuruar për ta mbrojtur nga goditjet amerikane, siç ishte raportuar në disa media evropiane.
“S’ka prova që Irani ka zhvendosur uraniumin”
Hegseth deklaroi se nuk ka prova të inteligjencës që konfirmojnë se Irani kishte marrë masa për të mbrojtur uraniumin e pasuruar në objektin e Fordow para sulmit, duke kundërshtuar raportime nga Financial Times dhe burime në disa kryeqytete të BE-së, përcjell The Guardian.
Nga ana tjetër, presidenti Trump u shpreh gjithashtu më herët se “nuk është marrë asgjë nga objekti bërthamor para sulmit”.
Në një moment të tensionuar të konferencës, Hegseth akuzoi median për “urrejtje të lindur” ndaj Donald Trump dhe për përpjekje për të minuar suksesin e sulmeve:
“Sepse e urreni kaq shumë Trumpin, është në ADN-në dhe në gjakun tuaj të gëzoheni kur ai dështon. Ju shpresoni që ndoshta këto sulme nuk ishin efektive,” tha Hegseth me tone të ashpra.
Ai akuzoi gazetarët se po “shtrembërojnë informacionin e nxjerrë nga rrjedhjet” për të krijuar dyshime në opinionin publik mbi efektivitetin e sulmeve ajrore amerikane dhe tha se mediat po dështojnë të raportojnë mbi përpjekjet dhe sakrificat e pilotëve amerikanë.
“Askush nuk shkruan për faktin se sa e vështirë është të fluturosh një avion për 36 orë pa ndërprerje. Pse? Sepse urrejtja e kësaj trupe mediatike e pengon një gjë të tillë. Është e papërgjegjshme,” përfundoi Hegseth.
Sulmet ajrore të SHBA-së ndaj Iranit vijnë mes tensioneve në rritje pas sinjaleve të inteligjencës se Teherani planifikonte të godiste baza ushtarake amerikane.
Lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se vendi i tij i kishte dhënë SHBA-së “një shuplakë të rëndë në fytyrë”, duke rritur tensionet retorike mes dy vendeve.
Ndërkohë, zhvillimet ndodhin në një moment të ndjeshëm politik në SHBA, ku presidenti Trump po përpiqet të konsolidojë pozitat e tij përballë zgjedhjeve, ndërsa kritikat ndaj mënyrës së menaxhimit të politikës së jashtme vijojnë të jenë të forta si në Kongres, ashtu edhe në media.