Vendosni fjalën kyçe....

Meta reagon pas vendimit të GJKKO: Drejtësi me regji, akuzat vijnë nga tribunat e “Rilindjes”


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Meta e cilëson vendimin si një skenar të përgatitur nga “drejtësia me regji” dhe akuzon organet e drejtësisë se veprojnë nën ndikimin e mazhorancës.

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji, ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku, afërmendsh, akuzat formulohen nga tribunat e Rilindjes,” shkruan Meta, duke nënvizuar se procesi ndaj tij është një farsë politike.

Ai premton se do të sfidojë këto akuza në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe në opinionin publik.

“Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik,” shprehet Meta.

Ish-presidenti i vendit njofton gjithashtu dy dalje publike për të sqaruar pozicionin e tij: një komunikim përmes Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, sot në orën 17:30, ku do të paraqiten “argumentet kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës”, dhe një konferencë për media të nesërmen në orën 11:00, ku gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje përmes telefonit të zotit Blushi.

“Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë,” përfundon reagimin e tij Meta.