Vendosni fjalën kyçe....

Dezinformimi tërheq klikime, faktet ndërtojnë besimin


Nga ekonomia e informacionit te ajo e emocioneve, dhe sot te ekonomia e besimit — kështu e nisi fjalën e saj në Podgoricë ekspertja rumune e medias, Ioana Avădani, gjatë hapjes së “Facts Content Lab”, një ngjarje e mbajtur në kuadër të fushatës “Facts Come First” nga iniciativa DG ENEST WeBalkans. Mesazhi kryesor: sfida e së vërtetës nuk është më vetëm ajo e fakteve, por ajo e besimit.

Lab-i mblodhi gazetarë, influencerë, verifikues faktesh dhe krijues përmbajtjes nga i gjithë Ballkani Perëndimor për të analizuar ndikimin e dezinformimit në jetën e përditshme dhe për të eksploruar mënyra të reja për ta luftuar atë. Fokus i veçantë ishte procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe narrativat e rreme që e shoqërojnë atë në hapësirën publike.

Raluca Costache, drejtuese e WeBalkans, theksoi se “lufta kundër dezinformimit është mbrojtje ndaj demokracisë dhe mënyrë për të ndërtuar shoqëri më të informuara dhe më të forta”. Ajo tha se fushata “Faktet të parat” ka për qëllim të rikthejë qartësinë në diskursin publik, aty ku dezinformimi sjell konfuzion.

Një segment i rëndësishëm i eventit ishte diskutimi për të ardhmen e së vërtetës në vitin 2040. Ndërkohë që inteligjenca artificiale shihet si burim i rrezikut për lajme të rreme, u theksua se empatia dhe integriteti njerëzor do të mbeten shtylla kyçe në ruajtjen e besimit publik.

Gazetari Dejan Šajinović nga Nezavisne novine theksoi rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe ndikimin e dezinformimit në mendimin publik. Ai tha se misioni i gazetarëve nuk është vetëm korrigjimi i pavërtetave, por edhe rikthimi i besimit — histori pas historie.

Influencuesja shqiptare Xhorxhina Roci foli për rëndësinë e sinqeritetit në rrjetet sociale: “Nuk jam thjesht dikush që flet për libra, por përpiqem të ndihmoj publikun të kuptojë dhe të verifikojë, sepse marrëdhënia me ndjekësit ndërtohet mbi besim”.

Në qendër të diskutimeve ishte edhe roli i reklamimit nativ, raportimit të njëanshëm dhe teknikave të bindjes, të cilat e zbehin ndarjen midis informimit dhe manipulimit. U theksua se fact-checking-u nuk ka të bëjë vetëm me gjetjen e të pavërtetave, por me frenimin e sensacionalizmit dhe mbrojtjen e hapësirës së saktë informative.

Në përfundim të tri ditëve intensive pune, pjesëmarrësit prodhuan video, artikuj, reels dhe përmbajtje të tjera për rrjete sociale, duke reflektuar perspektiva autentike mbi dezinformimin dhe mënyrat për të ndërtuar një komunikim të ndershëm dhe të qëndrueshëm me audiencat.

Mesazhi final i Avădanit ishte i qartë: “Pa besim, faktet nuk dëgjohen. Ndaj, duhet të punojmë jo vetëm për saktësinë, por edhe për integritetin e atyre që flasin në emër të së vërtetës.”