Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Bisedimet me Kinën për marrëveshjen e TikTok nisin javën që vjen


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të nisë bisedimet me Kinën të hënën ose të martën për një marrëveshje të mundshme lidhur me aplikacionin TikTok.

Gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e Air Force One të premten, Trump u shpreh: “Besoj se do të fillojmë të hënën ose të martën të flasim me Kinën – ndoshta me presidentin Xi ose një nga përfaqësuesit e tij – por kemi thuajse një marrëveshje.”

Ai shtoi gjithashtu se mund të vizitojë presidentin Xi Jinping në Kinë, ose që ky i fundit mund të vizitojë SHBA-në, pasi të dy liderët i kanë drejtuar njëri-tjetrit ftesa për vizita zyrtare muajin e kaluar, përcjell Guardian.

Në qendër të diskutimeve është shitja e degës amerikane të TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance. Trump ka zgjatur afatin deri më 17 shtator për përfundimin e procesit, duke i dhënë ByteDance edhe 90 ditë kohë për të gjetur një blerës të ri, përndryshe aplikacioni do të ndalohet në SHBA.

Një marrëveshje për ndarjen e operacioneve të TikTok në SHBA në një kompani të re me pronësi amerikane ishte në përgatitje këtë pranverë, por procesi u ndal pasi Kina refuzoi ta miratonte për shkak të tarifave të reja të vendosura nga SHBA mbi mallrat kineze.

“Duhet të kemi miratimin e Kinës për marrëveshjen, ndoshta. Nuk jam i sigurt, por mendoj se po. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Xi. Mendoj se është një marrëveshje e mirë për të dyja palët”, tha Trump.

TikTok falënderoi presidentin Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance në një deklaratë të premten, duke thënë se do të vazhdojë të punojë me administratën për një zgjidhje të pranueshme.