
Ministri Taulant Balla ka reaguar ndaj kërkesës së opozitës për të futur në rend dite votimin e kandidaturës për Avokatin e Popullit.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se nuk ka pasur një proces të mirëfilltë dhe se opozita nuk mund të paraqitet me një emër të vetëm dhe ta kërkojë me ngulm pa dialog.
Ai shtoi se modeli më i mirë ishte ai i vitit 2012, ku pati një proces të hapur me disa kandidatura dhe dakordësi mes palëve.
“Nuk shkruhet asgjëkund që avokati i popullit i takon opozitës, por ka një rregull të pashkruar që e kemi respektuar gjithmonë, vetëm në një rast të vetëm që erdhi për pasojë të një marrëveshje politike më 17 maj 2017. Opozita ka pasur ekskluzivitietin e propozimit të një emri.
Në të gjitha rastet e tjera ka pasur një proces, modeli më i mirë ka qenë ai i vitit 2012, kur grupi i PS në opozitë në atë kohë, jap një proces të hapur ku konkurruan një numër i konsiderueshëm kandidatësh dhe ka patur konsultim me grupin e mazhorancës për të rënë dakord me emrin.
Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces.
Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.