
Majtas kreu i Shell Wael Sawan, djathtas kreu i BP Murray Auchincloss
Shell është në bisedime të hershme për të blerë rivalen BP, në atë që do të ishte marrëveshja më e madhe e naftës prej shumë kohësh, thanë njerëz të njohur me çështjen.
Bisedimet midis përfaqësuesve të kompanisë janë në zhvillim e sipër, thane burimet e cituara nga ËSJ, dhe BP po e shqyrton me kujdes qasjen. Blerja e BP-së do e vendoste Shell-in në një bazë më të fortë për të sfiduar konkurrentët më të mëdhenj si Exxon Mobil dhe Chevron. Do ishte një kombinim historik i dy të ashtuquajturave kompani super të mëdha të naftës, një grup gjigantësh shumëkombësh që mbizotërojnë prodhimin e burimeve më të rëndësishme të energjisë në botë.
Kushtet e mundshme të ndonjë marrëveshjeje nuk mund të mësohen ende dhe një bashkim është larg të qenit i sigurt, paralajmëruan njerëzit e njohur me çështjen. Diskutimet po ecin ngadalë, shtoi një nga burimet.
BP vlerësohet tani për tani në rreth 80 miliardë dollarë. Duke marrë parasysh se gjithçka do përmbyllet me sukses, marrëveshje mund të jetë më e madhja në sektorin e naftës së korporatave që nga megabashkimi prej 83 miliardë dollarësh që krijoi Exxon Mobil në fillim të shekullit. Gjithashtu, do ishte lehtësisht marrëveshja e blerjes më e madhe e vitit, deri më tani.
Një zëdhënës i Shell tha: “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, ne jemi të përqendruar fort në kapjen e vlerës në Shell duke vijuar të përqendrohemi në paraqitje, disiplinë dhe thjeshtëzim.”
Një zëdhënës i BP nuk pranoi të komentojë.
Shell hyn në bisedime duke vepruar nga një pozicion force, me aksionet e saj që i tejkalojnë ndjeshëm ato të BP-së në vitet e fundit. Shell, e cila ashtu si BP është e vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, por ka operacione në gjithë botën, ka një vlerë tregu prej më shumë se 200 miliardë dollarësh.
BP ka qenë më e prapambetura midis kompanive të mëdha të naftës pas një largimi të pafat
nga lëndët djegëse fosile drejt energjisë së rinovueshme. Ajo gjithashtu ka vuajtur vite të tëra trazirash në menaxhim dhe fatkeqësish operacionale.
Investitori aktivist Elliott Investment Management, i cili zotëron më shumë se 5% të aksioneve të BP, ka kërkuar ndryshime në kompaninë e energjisë që të paktën nga shkurti, duke nënvizuar ekspozimin e prodhuesit të naftës dhe gazit ndaj një oferte të mundshme blerjeje nga një rival.
Që atëherë BP ka miratuar disa masa për të adresuar pakënaqësitë e investitorëve. Ajo njoftoi plane në fillim të këtij viti për të rritur prodhimin e naftës dhe gazit dhe për të ulur ndjeshëm investimet në energjinë e pastër.
BP është gjithashtu në proces të përpjekjes për të shitur biznesin e saj të lubrifikantëve që operon nën markën Castrol dhe ka treguar se mund heqë dorë të paktën nga një pjesë të njësisë së saj diellore, Lightsource. Kohët e fundit, BP tha se kreu i saj Helge Lund, një arkitekt kyç i strategjisë së kompanisë për ulje të dioksidit të karbonit, planifikon të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, Shell është përqendruar në operacionet e saj më fitimprurëse, duke u zotuar të pompojë më shumë naftë dhe gaz dhe duke hequr dorë nga objektivat e energjisë së gjelbër.
I pyetur publikisht, drejtori Ekzekutiv i Shell, Wael Sawan, tha së fundmi se standardet e kompanisë për arritjen e marrëveshjeve të mëdha do ishin të larta. Shell në maj njoftoi një plan riblerjeje aksionesh prej shumë miliardë dollarësh, i fundit në një seri të gjatë riblerjesh të mëdha aksionesh. Shell ka punuar me bankierët për një shitje të mundshme të aseteve të saj kimike në Evropë dhe SHBA, raportoi më parë The Wall Street Journal.
Për Shell, blerja e BP do kërkonte vite integrimi, të ndërlikuara nga përplasjet kulturore dhe ndoshta shitja e aseteve që mbivendosen. Por një marrëveshje mund t’i japë biznesit global të tregtisë së Shell një shtrirje më të madhe dhe të forcojë mbizotërimin e saj në fusha si gazi natyror i lëngshëm. Analistët dhe investitorët gjithashtu shohin një përputhje të mirë në operacionet e kompanive në Gjirin e Meksikës.
Blerja e BP-së do t’i ofronte Shell-it një mundësi për të shpërndarë kostot në një bazë më të madhe operative dhe do përjashtonte rivalët. Shell do ishte gjithashtu më e pranueshme politikisht për rregullatorët e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët mund të kundërshtojnë një ofertues të huaj nga blerja e BP-së, një kompani më shumë se një shekullore që i ka rrënjët në eksplorimin e naftës në Persi gjatë kulmit të Perandorisë Britanike.
Bloomberg News raportoi në fillim të majit se Shell po vlerësonte një marrëveshje të mundshme me BP-në.
Një marrëveshje Shell-BP do ishte e fundit në një valë aktiviteti të blerjeve në gjithë peizazhin e energjisë, ndërsa prodhuesit kërkojnë të arrijnë ekonomi më të mëdha.
Chevron është ende duke punuar për të mbyllur marrëveshjen e stërmadhe prej 53 miliardë dollarësh për Hess, e cila është pezulluar për shkak të përpjekjeve të Exxon-it për të sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes.
Vitin e kaluar, Exxon mbylli një marrëveshje prej 60 miliardë dollarësh për të blerë Pioneer Natural Resources. Diamondback Energy mbylli një marrëveshje prej 26 miliardë dollarësh për Endeavor Energy Resources për të forcuar pozicionin e saj në pellgun Permian.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani