
Policia ka vënë sekuestro mbi një sërë pasurish të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike, që i përkasin shtetasit Katan Baho, i njohur edhe si Sokrat Baho, 45 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi pasuror të drejtuar nga Prokuroria e Gjirokastrës.
Në total, janë sekuestruar:
- Një lokal bar-kafe dhe një hotel katërkatësh në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;
- Një ndërtesë dykatëshe me papafingo, me sipërfaqe 393.3 m², në fshatin Valare;
- Një tjetër ndërtesë dykatëshe, me sipërfaqe 235 m², po në fshatin Valare;
- Truall dhe ndërtesë (servis makinash) në lagjen “Grehot”, me sipërfaqe totale 1216 m² dhe 276 m² ndërtim;
- Një lokal me sipërfaqe 30 m² në lagjen “Grehot”;
- Një automjet tip “Audi Q7”.
Përveç këtyre, janë sekuestruar edhe 8 automjete të tjera në pronësi të Baho-s dhe familjarëve të tij, ndërkohë që vijojnë përpjekjet për gjetjen e tyre.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Autoritetet dyshojnë se Baho është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merret me trafik droge.