Vendosni fjalën kyçe....

Rinumërimi në Tiranë hap debat për vlefshmërinë e votave të kandidatëve


Ndërsa procesi i rinumërimit të votave në të gjithë qarkun e Tiranës ka arritur në 65% të kutive të hapura, përkatësisht 794 nga 1207, vëmendja është zhvendosur nga partitë politike te votat e kandidatëve. Ndryshimet kanë qenë minimale për subjektet, por në listat e hapura, lëvizjet janë të ndjeshme dhe po shkaktojnë përplasje.

Sipas të dhënave zyrtare, 32 kandidatëve të Partisë Socialiste u janë hequr gjithsej 1,724 vota, ndërsa 5 të tjerëve u janë shtuar vetëm 70. E njëjta prirje vërehet edhe në kampin opozitar PD-ASHM, ku 27 kandidatëve u janë hequr 705 vota dhe vetëm 10 prej tyre kanë përfituar 130 vota më shumë. Në total, lëvizjet në të dyja koalicionet përbëjnë një diferencë prej 2,629 votash.

Këto ndryshime kanë sjellë tension dhe reagime nga kandidatë të të dy krahëve politikë. Deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka humbur një numër të konsiderueshëm votash, ka akuzuar Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për përpjekje për të manipuluar mandatet, ndërsa thekson se disa vota për të janë shpallur të pavlefshme vetëm pse shenja ndodhej jashtë kutisë apo pas emrit të tij.

Nga ana tjetër, kandidati i PD-së, Ilir Alimehmeti, ka ngritur shqetësimin për standardin e vlerësimit të votës, duke publikuar një fletë votimi ku shenja kishte devijuar nga kutia e emrit të një kandidati tjetër, duke pyetur nëse ajo duhet konsideruar e pavlefshme, siç ka vendosur KAS.

Kjo përplasje vjen pas refuzimit të KAS për të ndryshuar një vendimmarrje të mëparshme që vota për kandidatin të konsiderohej e vlefshme edhe nëse shenja “x” apo “+” ndodhej jashtë kutisë. Kjo ndodhi pavarësisht se vetë Partia Socialiste kërkoi që ky interpretim të zbutet për të evituar penalizimin e votuesve.

Manuali i KQZ, i cili orienton mbi vlefshmërinë e votave, parashikonte 31 mënyra të vlefshme votimi për partitë politike, por pa e qartësuar plotësisht vlefshmërinë e shenjave të devijuara për kandidatët individualë. Kjo ka sjellë një interpretim më të ngurtë nga ana e KAS, e cila e konsideron manualin vetëm si orientues dhe jo detyrues.

Ndërkohë, procesi i rinumërimit në Tiranë pritet të vijojë edhe për 35% të kutive të mbetura. Pas Tiranës, do të nisë rinumërimi për qarqet e Durrësit dhe Fierit, ku standardi i vlefshmërisë së votave mund të ndikojë drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve të deputetëve.