
Parlamenti i Iranit miratoi një plan për të pezulluar angazhimet e tij sipas Traktatit të Mospërhapjes dhe për të ndërprerë bashkëpunimin me mbikëqyrësin global bërthamor pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve të tij bërthamore.
Ligjvënësit mbështetën propozimin të mërkurën në një votim dërrmues, ku 221 nga 223 votuan pro, me një votë kundër dhe një abstenim. Por plani nuk arriti të tërhiqej plotësisht nga traktati.
Propozimi i miratuar thoshte: “Qeveria duhet të zbatojë menjëherë këtë ligj dhe të pezullojë të gjithë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore sipas NPT-së dhe marrëveshjeve të mbrojtjes.”
Masa, e cila pritet të zbatohet me shpejtësi, mund të anulohet nëse Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit verifikon se përmbushen disa kushte, duke përfshirë “respektin e plotë për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Republikës Islamike të Iranit dhe sigurinë e vendeve dhe shkencëtarëve bërthamorë si dhe pasurimin e uraniumit brenda vendit”.
IAEA kishte zbatuar një nga regjimet më të rrepta të inspektimit në botë në republikë pasi Irani nënshkroi një marrëveshje të vitit 2015 me fuqitë botërore që kufizoi fort veprimtarinë e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Bashkëpunimi i vendit me agjencinë u zvogëlua ndjeshëm pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, por inspektorët e IAEA-s ishin ende në gjendje të vizitonin shpesh vendet kryesore të Iranit, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Isfahan. Ajo nuk ka qenë në gjendje të kryejë inspektime që kur Izraeli nisi luftën e tij.
Mahmoud Nabavian, anëtar i komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit, tha: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj NPT-së në parim dhe e kemi siguruar botën se veprimtaritë tona bërthamore janë paqësore. Megjithatë, ky vendim ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin me IAEA-në, që do të thotë se instalimi i çdo kamere mbikëqyrëse do ndalohet.”
Propozimi do bëhet ligj pasi të miratohet nga Këshilli i Rojeve, mbikëqyrësi kushtetues. Gjatë luftës 12-ditore në të cilin Izraeli tha se kishte në shënjestër vendet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, zyrtarët dhe politikanët iranianë akuzuan drejtorin e përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi, se i kishte dhënë Izraelit dhe SHBA-së një pretekst për të nisur sulmet e tyre ndaj programit bërthamor të Teheranit, pasi agjencia përmendi shqetësime në lidhje me veprimtarinë e Iranit.
Një ditë para se Izraeli të niste luftën e tij kundër Iranit më 13 qershor, bordi i guvernatorëve të IAEA-së miratoi një rezolutë që, për herë të parë në dy dekada, deklaroi se Irani kishte shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore. Rezoluta u hartua nga SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, shkruan FT.
Pas shpërthimit të luftës, Grossi bëri thirrje për diplomaci për t’i dhënë fund krizës dhe tha se sulmet e armatosura ndaj objekteve bërthamore nuk duhet të ndodhin kurrë.
Të mërkurën, IAEA tha se Grossi i kishte shkruar ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, të martën, duke propozuar një takim. Grossi tha: “Rifillimi i bashkëpunimit me IAEA-në është çelësi për një marrëveshje të suksesshme diplomatike për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjen mbi veprimtaritë bërthamore të Iranit.”
SHBA-të iu bashkuan shkurtimisht luftës gjatë fundjavës, duke bombarduar centralet bërthamore të Natanzit, Fordovit dhe Isfahanit. Trump pretendoi se centralet ishin “shkatërruar”, por mediat amerikane më pas kanë cituar një vlerësim të hershëm të inteligjencës amerikane se sulmet ajrore e penguan përparimin bërthamor të Iranit me më pak se gjashtë muaj.
Ndërkohë, fati i më shumë se 400 kg uranium të pasuruar shumë – i cili mund të pasurohet më tej për të prodhuar disa bomba, mbetet i panjohur.
Irani ka sugjeruar se uraniumi është zhvendosur para sulmeve dhe pohon se bombardimet nuk e shkatërruan programin e tij.
Të mërkurën, kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, u zotua në parlament se republika islamike do përshpejtojë programin e saj bërthamor.
“IAEA ka kompromentuar besueshmërinë e saj duke mos arritur as të dënojë sulmet ndaj instalimeve bërthamore të Iranit”, tha Ghalibaf.
“Për këtë arsye, Organizata e Energjisë Bërthamore e Iranit do pezullojë bashkëpunimin e saj derisa të jepen garanci për sigurinë e centraleve bërthamore. Ndërkohë, programi bërthamor paqësor i Iranit do të vijojë me një ritëm më të shpejtë.”
Një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit hyri në fuqi këtë javë, por mbetet i brishtë, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se lufta mund të rifillojë nëse Irani rifillon veprimtaritë bërthamore.
Por politikanët dhe udhëheqësit iranianë janë zotuar të vijojnë me programin bërthamor.
“Çfarë kuptimi ka bashkëpunimi me IAEA-n nëse po na bombardojnë?” – tha një njeri i brendshëm i regjimit.
“Inspektorët e IAEA-s vinin vetëm për të spiunuar vendet e Iranit dhe për t’i dhënë Izraelit informacion në lidhje me shkencëtarët tanë bërthamorë dhe vendndodhjet e tyre, në mënyrë që ata të mund të viheshin në shënjestër. Kjo marrëzi duhet të ndalet menjëherë.”