
Zohran Mamdani, demokrati i majtë, të cilit i druhet Wall Street-i, është në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet paraprake të partisë për kryetar bashkie në Nju Jork City, duke shkaktuar tronditje në të gjithë politikën amerikane.
Mamdani, një socialist demokrat i cili ka bërë thirrje për taksa më të larta për të pasurit dhe është kritikuar për mbështetjen e SHBA-së për Izraelin në Gaza, e habiti Andrew Cuomo-n, ish-guvernatorin e shtetit të Nju Jork-ut, në garën paraprake demokrate të martën.
Suksesi i tij do jehojë në gjithë Ëall Street-in dhe midis donatorëve miliarderë, përfshirë menaxherin e fondeve Bill Ackman, i cili mbështeti rivalin e tij. Kjo gjithashtu do intensifikojë debatin midis demokratëve, ndërsa ata kërkojnë një strategji bindëse politike për t’u përballur me Donald Trump-in.
“Sonte, ne bëmë histori”, u tha Mamdani qindra mbështetësve të gëzuar në Queens të martën në mbrëmje.
“Unë do jem kandidati juaj demokrat për kryetar bashkie të qytetit të Nju Jorkut. Kur nuk besojmë më në demokracinë tonë, bëhet më e lehtë për njerëz si Donald Trump të na bindin për vlerën e tij, për miliarderët të na bindin se ata duhet të udhëheqin gjithmonë”, tha ai.
Nju Jork anon nga demokratët dhe fitorja e Mamdanit i jep 33-vjeçarit një avantazh të madh në zgjedhjet e mëvonshme këtë vit për të zëvendësuar Eric Adams si kryetar bashkie i qytetit – një nga pozicionet më të fuqishme në politikën e brendshme të SHBA-së.
Cuomo pranoi humbjen vonë të martën në një garë që shihet gjerësisht si një referendum mbi të ardhmen e partisë.
“Sonte nuk ishte nata jonë. Ishte nata e Mamdani-t”, u tha Cuomo mbështetësve në një festë pas zgjedhjeve, duke shtuar se e kishte telefonuar Mamdani-n për ta përgëzuar.
Rezultatet jozyrtare të së martës në mbrëmje treguan se Mamdani kishte një epërsi prej shtatë pikësh ndaj Cuomo-s, me më shumë se 90 përqind të votave të numëruara.
Rezultati përfundimtar do varet nga numërimi i votave në sistemin e renditjes së qytetit, i cili u lejon njerëzve të zgjedhin deri në pesë kandidatë sipas preferencës. Fituesi do shpallet zyrtarisht më 1 korrik, në rastin më të mirë, pasi të jenë rialokuar votat e të gjithë kandidatëve të tjerë.

Pas fitores së Trump ndaj Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, demokratët janë ndarë midis një krahu progresiv të përfaqësuar nga kongresmenja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, dhe të moderuarve si senatori amerikan i Pensilvanisë, John Fetterman, i cili e ka lavdëruar Trump-in.
Mamdani e drejtoi fushatën e tij me një premtim për ta bërë jetën më të përballueshme për banorët e Nju Jorkut, kostoja e jetesës së të cilëve është rritur që nga pandemia Covid-19. Nëse zgjidhet, ai thotë se do të rrisë taksat për të pasurit për të financuar autobusë dhe kujdesin falas për fëmijët, si dhe dyqane ushqimore në pronësi të qytetit.
Kandidati progresiv shfrytëzoi një mbështetje të madhe midis votuesve të rinj – një strategji zgjedhore që do studiohet nga demokratët në nivel kombëtar, ndërsa përpiqen të rifitojnë votuesit e rinj që mbështetën Trump-in në nëntor.
“Siç thotë Nelson Mandela: gjithmonë duket e pamundur derisa bëhet e vërtetë”, tha Mamdani në X pas rezultatit.
Ocasio-Cortez, e cila ka përdorur një bazë të ngjashme votuesish, e përgëzoi Mamdani-n të martën në mbrëmje, duke thënë në një postim në mediat sociale, “miliarderët dhe lobistët derdhën miliona kundër jush dhe sistemit tonë të financave publike. Dhe ju fituat”.
Cuomo, një figurë kryesore në politikën e shtetit të Nju Jorkut për më shumë se katër dekada, është parë prej kohësh si kandidati kryesor. Por centristi e gjeti veten duke u përballur me një sfidë gjithnjë e më serioze nga Mamdani i ri, i cili ka një numër të madh ndjekësish në mediat sociale.
Pasi dha dorëheqjen si guvernator katër vjet më parë mes akuzave për ngacmim seksual, të cilat ai i mohon, Cuomo hyri në garën për kryetar bashkie në mars.
Cuomo u zotua të rivendoste marrëdhënien e Partisë Demokratike midis votuesve të klasës punëtore, duke premtuar të punësonte më shumë oficerë policie, të përmirësonte sigurinë në metro dhe të hiqte burokracinë për të ndërtuar banesa më të përballueshme.
Fushata e tij u ndërtua mbi tezën se Partia Demokratike ishte “marrë peng” dhe se “nuk lufton më për njerëzit që punojnë”.
Fushata e Cuomo-s gëzoi një avantazh të madh në mbledhjen e fondeve ndaj rivalëve në javët e fundit të garës, e mbështetur nga kontributet e mëdha, përfshirë edhe nga ish-kryetari i bashkisë Michael Bloomberg.
Në total, grupet e jashtme të mbledhjes së fondeve shpenzuan më shumë se 20 milionë dollarë. Fushata e Mamdani-t u mbështet në kontribute të vogla, me më shumë se 21,000 donatorë, afërsisht 75 përqind e të cilëve dhanë më pak se 100 dollarë.
Eric Adams, kryetari aktual i bashkisë, do kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit si i pavarur. Vlerësimi i tij i mbështetjes është vetëm 20 përqind pasi ai u padit vitin e kaluar për akuza për ryshfet dhe mashtrim në një çështje që më vonë u pushua nga prokuroria.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani