
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të mërkurë se janë dorëzuar videot e para nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që dokumentojnë dyshimet për manipulime në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se pamjet e marra deri tani i përkasin vetëm qarkut të Elbasanit.
Sipas Berishës, procesi i dorëzimit të videove nga KQZ drejt qarqeve të tjera është vonuar për shkak të mungesës së hapësirave të duhura për ruajtjen e materialeve filmike me kapacitet të lartë.
“Fillimisht na kanë dorëzuar pamjet e Elbasanit, tani presim edhe ato të qarqeve të tjera,” tha ai.
Berisha njoftoi gjithashtu se janë marrë disa video nga Vora, por ato rezultojnë të jenë të prera dhe të papërshtatshme për një shqyrtim të plotë.
Ndërkohë, për Tiranën ende nuk janë dorëzuar pamjet filmike, por sipas tij tashmë është vendosur kapaciteti i nevojshëm për depozitimin e tyre dhe pritet që të merren së shpejti.
“Pasi të dorëzohen plotësisht nga KQZ, do të nisë shqyrtimi i tyre në detaje,” theksoi Berisha në deklaratën e tij. Ai shtoi se kërkesat e qarqeve për videot janë penguar nga mungesa e depozitave të mëdha me kapacitete të mjaftueshme, por problemi është zgjidhur dhe pritet vijimi i procesit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Nuk janë marrë akoma videot, sepse ka pasur probleme me dorëzimin e videove nga KQZ, qarqeve që kanë kërkuar videot.
Tani janë dorëzuar atje sepse kërkonin depozita të mëdha me kapacitete të mëdha për marrjen e videove, dhe tani sapo të dorëzohen nga KQZ, do fillojë shqyrtimi i tyre.
Kjo është pra.
Videot e parë që janë dorëzuar nga KQZ, janë videot e Elbasanit, janë disa të Vorës, por ato të Vorës janë të prera në mënyrë të papërshtatshme.
Pret Tirana t’i marrë, ka depozituar kapacitetin për depon e videove, që ishte shumë i madh. Por u gjet dhe do dorëzohen.