Vendosni fjalën kyçe....

Mark Rutte lavdëron Trump për ndërhyrjen në Iran dhe suksesin në NATO: Askush tjetër s’do ta kishte bërë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dërguar një mesazh të pazakontë lavdërues për presidentin amerikan Donald Trump, ku e përgëzon për ndërhyrjen ushtarake në Iran dhe arritjen e konsensusit për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në nivel aleance. Mesazhi, që Trump e publikoi në rrjetin e tij social, fillon me fjalët “Zoti President, i dashur Donald,” dhe e cilëson ndërhyrjen si “të jashtëzakonshme” dhe “diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte”, përcjell AP.

Rutte thekson në mesazh se vendimi i Trump për të goditur objektivat bërthamore të Iranit ishte veprim vendimtar që “na bën të gjithëve më të sigurt”. Ai shton gjithashtu se “po fluturon drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë”, duke iu referuar samitit dyditor të NATO-s në Holandë, ku 32 aleatë pritet të miratojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së, një kërkesë kyçe e presidentit Trump.

“Donald, ti e çove këtë moment në një pikë historike për Amerikën, Europën dhe botën. Europa do të paguajë shumë, siç duhet, dhe kjo është fitorja jote,” shkruan më tej Rutte. Ai përfundon mesazhin me urimin për udhëtim të mbarë dhe takimin gjatë darkës mbretërore në Hagë.

NATO e konfirmoi autenticitetin e mesazhit, pa dhënë detaje mbi platformën nëpërmjet së cilës është dërguar. Nga pamja e ekranit të publikuar nga Trump, duket se mund të jetë përdorur aplikacioni i koduar Signal, që e shton shqetësimin mbi arkivimin e komunikimeve zyrtare të presidentit.

Në të kaluarën, përdorimi i Signal-it ka shkaktuar polemika, si në rastin kur sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth u akuzua për shpërndarje të informacionit të klasifikuar. Vetë Trump ka mohuar të ketë dijeni për aplikacionin, por paralajmëroi: “Do t’u thosha njerëzve të mos e përdorin.”

Ky nuk është rasti i parë kur Trump ndan mesazhe personale nga liderë të huaj ose zyrtarë të lartë. Kohët e fundit ai publikoi edhe një mesazh nga ambasadori i tij në Izrael, Mike Huckabee, i cili fliste për udhëheqje hyjnore në çështjet e politikës ndaj Iranit.