
Në Gjykatën Kushtetuese u mbajt sot seanca e parë për shqyrtimin e ligjit për zonat e mbrojtura, pas padisë së 37 deputetëve të opozitës që kërkojnë shfuqizimin e tij. Ligji, i miratuar në shkurt 2024 mes protestave të opozitës në Kuvend, është cilësuar nga kundërshtarët politikë si një hap drejt shkatërrimit të trashëgimisë natyrore të vendit dhe dhënies së favoreve oligarkëve.
Deputetja demokrate Ina Zhupa, në fjalën e saj para Kushtetueses, e cilësoi ligjin si antikushtetues dhe të mbështetur nga interesa klienteliste. Sipas saj, procedura e ndjekur për miratimin e tij ka qenë e parregullt dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi drafti kaloi nga Kuvendi në Këshillin e Ministrave pa transparencë dhe konsultime publike.
“Ky ligj nuk është bërë për të mbrojtur mjedisin, por për të krijuar hapësira ndërtimi në territore që më parë ishin të mbrojtura. Është projektuar për t’u dhënë tokë të re oligarkëve me investime strategjike”, deklaroi Zhupa.
Ajo shtoi se ligji lejon ndërtimin e resorteve luksoze, aeroporteve dhe autostradave në territore të klasifikuara më parë si zona natyrore të mbrojtura.
Zhupa paralajmëroi se zbatimi i këtij ligji rrezikon të zhdukë konceptin e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe do të sjellë pasoja të parikuperueshme për mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.
“Nuk mund t’ua lëmë brezave të ardhshëm një trashëgimi prej resortesh dhe vilash private në vend të parqeve natyrore. Ky ligj është kundër interesit publik dhe standardeve europiane,” tha ajo.
Sipas deputetes demokrate, ligji bie gjithashtu në kundërshtim me konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe me vetë Kushtetutën e vendit, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta shpallë të pavlefshëm.
Ligji i kontestuar parashikon që në disa zona të mbrojtura të lejohet ndërtimi i strukturave turistike dhe agroturistike, me argumentin e zhvillimit ekonomik dhe promovimit të turizmit. Por opozita e sheh këtë si një përpjekje për betonizimin e këtyre zonave dhe favorizimin e bizneseve të lidhura me qeverinë.