
Një nga drejtuesit kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës është arrestuar në Abu Dabi, pas një operacioni të përbashkët mes policisë spanjolle, Europol, Interpol dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai ishte në arrati që prej “Operacionit Pampa” të zhvilluar vitin e kaluar, që kishte në shënjestër një organizatë kriminale shqiptare të lidhur ngushtë me Dritan Gjikën.
Sipas autoriteteve spanjolle, i arrestuari kishte një rol qendror në trafikun e kokainës drejt Evropës. Ai koordinonte kontaktet me furnizuesit kolumbianë, si dhe mbikëqyrte personalisht transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës. Mediat spanjolle raportojnë se kishte një kontratë për të importuar 4,000 kilogramë kokainë në muaj nga Kolumbia, me destinacion tregun evropian.
Operacioni masiv “Pampa”, që përfshiu 800 agjentë, çoi në arrestimin e 40 personave në Spanjë dhe Ekuador, dhe sekuestrimin e mbi 2.8 milionë eurove në para të gatshme, armë zjarri dhe makina luksoze. Hetimet zbuluan një rrjet të sofistikuar që përdorte portet më të mëdha evropiane si Amber, Roterdam, Algeciras, Hamburg, Shën Petersburg, Durrës, Gioia Tauro dhe Konstancë për futjen e kokainës, me mbështetje nga bashkëpunëtorë të lidhur me mafien shqiptare.
Autoritetet identifikuan edhe një skemë komplekse pastrimi parash, që përfshinte qindra milionë euro të investuara në prona dhe biznese luksoze. Një nga momentet kyçe të hetimit ishte kapja e një milion eurove të fshehura në bagazhin e një makine në Malaga.
Operacionet e pastrimit të parave arrinin vlerën e 36 milionë dollarëve në Ekuador dhe 12 milionë eurove në Spanjë, ndërsa organizata kontrollonte diskoteka dhe klube sportive luksoze në Evropë si pjesë e skemës së investimeve të paligjshme.
Pas një viti në arrati, ai u lokalizua dhe arrestua në Abu Dabi falë bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjykata Qendrore e Hetimit nr. 1 në Spanjë ka kërkuar ekstradimin e tij, ku pritet të gjykohet në Gjykatën Kombëtare së bashku me pjesëtarët e tjerë të rrjetit kriminal.
Policia spanjolle konfirmon se i arrestuari kishte ndërtuar një strukturë të tillë kriminale që lejonte veprimtari të njëkohshme në disa porte të Evropës, çka dëshmon nivelin e lartë të infiltrimit dhe fuqisë ekonomike të organizatës.