Vendosni fjalën kyçe....

Budina sqaron në polici çfarë ndodhi me Vasilin: Përpjekje për të bërë pis kauzën


Robert Budina ka shkuar në polici për të dhënë dëshminë e tij lidhur me akuzat e aktorit Laert Vasili, e cili e akuzoi dy net më parë përmes një videoje se e ka sulmuar fizikisht.

Sipas regjisorit Budina nuk ka patur asnjë sulm fizik, përkundrazi ai është munduar të shmangë një të tillë mes Vasilit dhe qytetarëve të acaruar me të.

Ai thotë se pas akuzave të Vasilit qëndron një përpjekje për të bërë pis kauzën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

“Ka pasur një kallëzim ndaj meje për dhunë, gjë që nuk është e vërtetë, dhe unë dhashë dëshminë time në policinë. 

Ajo që dua të theksoj nuk është kjo, sepse kjo është një çështje shumë e vogël për t’u marrë Aleanca.

Ky është një sulm i hapur, personal i Laert Vasilit, i cili kërkon ta zvogëlojë këtë çështje në konflikte banale Thelbi mbrapa është një strategji kundër kësaj lëvizjeje për ta bërë pis.

Jam shumë i impresionuar për sjelljen që pati policia për ta menaxhuar këtë rast, për mënyrën si më pritën dhe se sie argumentuan dëshminë time dhe se si ne argumentuam me njëri-tjetrin.

Dhe për këtë jam i lumtur, që ne me lëvizjen kemi arritur ta mbjellim këtë shpresë dhe të vërtetojmë që këto skandale të vogla nuk i bëjnë dot asgjë lëvizjes sonë.

Këto gjëra kaq të vogla nuk përbëjnë asgjë. Po të doni mund të flasim për ngjarjen por kjo nuk përbën asgjë. Unë u lajmërova pasi kishim bërë një festë me trupën austriake, pikërisht në këto momente kur po përcillnim trupën austriake personi në fjalë grisi parrullën dhe mua më lajmëruan dhe shkova aty dhe gjeta një tufë njerëzish të acaruar nga qytetarët që protestojnë përditë dhe u përpoqa që t’i ndaja këta qytetarë nga aktori, edhe për faktin se ne kemi punuar bashkë dhe nuk më vinte mirë. Pavarësisht se ai nuk mu duk normal me akuzat që hidhte.

Bëra gjithçka që të shmangia konfliktin verbal mes qytetarëve dhe aktorit dhe nuk ka asnjë prekje, asnjë dhunë. Këto janë të gjitha sajesa, natyrisht këto janë pretendimet e tij dhe ai duhet t’i vërtetojë por ne kemi të gjitha provat dhe dëshmitë të asaj që ka ndodhur.

E theksoj se kjo është një telenovelë, hajde ta çojmë deri në fund dhe kemi gjithë kohën për ta provokuar.”- tha Budina.

Sipas regjisorit, aktori ishte në tentativën e dytë për të provokuar protestuesit e Teatrit. Ai tregoi se Vasili edhe dy ditë më parë kishte grisur posterat e Avni Delvinës.

“Nuk është rasti i parë. Është hera e dytë. Ka ardhur dy ditë më parë në Teatër, ka grisur posterat e Avni Delvinës. Ne nuk e theksuam këtë fakt sepse donim ta mbyllnim mes nesh, ne bëmë përpjekjen tonë për t’u treguar fisnik sepse lufta jonë nuk është personale me këtë aktor apo aktorë të tjerë, sepse kjo është në nivel shumë më të lartë, nuk është në nivel personash, është luftë konceptesh dhe ne ndaj nuk e vlerësuam.

Mirëpo ai donte me çdo kusht që të bënte këto veprime që bëri, mirëpo ne nuk ia japim këtë luks sepse është shumë i vogël përpara kësaj kauze. Ai nuk ka forcën për ta dëmtuar këtë investim të të gjithë njerëzve të cilët me të drejtë pas 2 vjetësh protestë përditë në Teatrin Kombëtar mund të kenë dhe momente nervozizmi. Ne kemi parlamentarë që pa pasur një nervozizëm shahen me njëri-tjetrin, jo më kur bëhet fjalë për qytetarë të ndershëm, të sinqertë që rrinë 24 orë në 24 është normale. Por ajo që është e rëndësishme në këtë ngjarje është se nuk ka asnjë prekje me dorë, mund të ketë shtyrje – largohu. Unë u përpoqa me çdo kusht të largoja njerëzit tanëqë protestojnë për t’i dhënë kuptim protestës së tyre sepse ai është shumë i vogël përpara protestës së tyre. Por ata donin ta mbanin aty për të thërritur policinë, nuk donin ta linin. Këtë përpjekje e ka parë dhe roja private që posterin e ka grisur ai por nuk shkoi ta thoshte sepse linte vendin bosh. Janë kamerat e sigurisë së Ministrisë, që mund të nxirren dhe të kuptohet se kush ka ushtruar dhunë aty. Ishte ai që më thërriti “Berti, Berti hajde këtu… Nuk e di çfarë thoshte.”– tha më tej Budina./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *