Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli kërkon të përfundojë luftën me Iranin sa më shpejt


Izraeli është i interesuar të përfundojë luftën me Iranin sa më shpejt të jetë e mundur dhe të maksimizojë arritjen e sulmit të suksesshëm të ushtrisë amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, thanë burime izraelite dhe arabe për Wall Street Journal të hënën.

Izraeli pret të përfundojë sulmet në listën e objektivave ushtarake në Iran në ditët në vijim, gjë që mund të “krijojë shtegun ” për t’i dhënë fund luftimeve, thanë zyrtarët izraelitë për Journal.

Megjithatë, ata e përcaktuan gjendjen e tanishme si “dinamike” dhe vunë në dukje se “shumë varet nga përgjigja iraniane”. Gjithashtu u raportua se SHBA-të informuan zyrtarët nga vendet arabe në rajon se Izraeli “kërkon t’i japë fund luftimeve sa më shpejt të jetë e mundur” – dhe iu kërkua t’ia përcjellë mesazhin Iranit, shkruan Ynet.

Irani, nga ana e tij, u përgjigj se nuk është i përgatitur të tërhiqet në këtë fazë, pasi ndihet i detyruar t’i përgjigjet sulmit amerikan ndaj objekteve bërthamore. Një zyrtar izraelit theksoi se IDF-ja do vijojë të sulmojë Iranin për sa kohë që iranianët do bëjnë të njëjtën gjë – edhe nëse Izraeli në dukje do t’i ndalojë sulmet e tij.

“Ata do sulmojnë, ne do sulmojmë”, i tha ai medias amerikan. Kryeministri izraelit Netanyahu tha të dielën se “ne nuk do tërhiqemi në një luftë rraskapitëse – por gjithashtu nuk do e përfundojmë këtë operacion historik derisa të kemi përmbushur të gjitha qëllimet tona”.