
Gjermania po planifikon të rrisë shpenzimet bazë të mbrojtjes në 3.5% të prodhimit të brendshëm bruto gjatë pesë viteve të ardhshme, si pjesë e një rritjeje të madhe të investimeve qeveritare në ushtri.
Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes do e ndihmojë Gjermaninë të përmbushë objektivin e ri të aleancës së NATO-s për të angazhuar të paktën 3.5% të PBB-së për mbrojtjen, nga 2% që është tani për tani. Do kërkohet një shtesë prej 1.5% në shpenzimet e lidhura me ushtrinë për të arritur standardin prej 5% që ka kërkuar presidenti i SHBA-së Donald Trump – dhe të cilin anëtarët e NATO-s do e mbështesin në samitin e kësaj jave në Hagë.
“Qeveria po përballet me sfidën e forcimit të ndjeshëm të aftësive të brendshme dhe të aleancës dhe marrjen e përgjegjësisë së saj për sigurinë e Evropës”, sipas një dokumenti të shpërndarë të hënën nga qeveria në Berlin.
Koalicioni qeverisës i konservatorëve dhe socialdemokratëve i kancelarit Friedrich Merz është zotuar të përmbysë dekada të tëra investimesh të pamjaftueshme në forcat e armatosura të Gjermanisë për të adresuar kërcënimin në rritje nga Rusia.
Ajo gjithashtu nisi një program investimesh në infrastrukturë të financuar nga borxhi me vlerë 500 miliardë euro për të provuar të nxisë ekonominë në ngecje.
Buxheti i ministrit të Financave Lars Klingbeil për këtë vit – i cili u vonua për shkak të zgjedhjeve kombëtare të shkurtit – duhet të miratohet në kabinet të martën përpara se të dërgohet në parlament për miratim nga ligjvënësit, shkruan Bloomberg.
Ai përfshin një borxh të ri neto prej 82 miliardë eurosh, i cili do rritet progresivisht në pak mbi 126 miliardë euro në vitin 2029, tha qeveria.
Investimet në mbrojtjen bazë do arrijnë në total 95 miliardë euro këtë vit. Kjo përfshin 62 miliardë euro nga buxheti i rregullt, 24 miliardë euro nga një fond i posaçëm i financuar nga borxhi i krijuar nga qeveria e mëparshme dhe rreth 9 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës.
Merz nënvizoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të forcuar forcat e armatosura në një fjalim në Berlin të hënën, ndërsa theksoi gjithashtu një çështje që mund të pengojë zgjerimin e planifikuar.
“Paratë nuk janë problemi vendimtar që kemi për Bundeswehr-in në vitet e ardhshme”, tha ai në një forum të industrisë.
“Problemi vendimtar është personeli i kualifikuar”, tha ai, duke shtuar se qeveria përfundimisht mund të detyrohet të rifutë një formë të rekrutimit ushtarak.