Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr pranë magazinave të Bashkisë Lezhë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme


Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një zonë pranë magazinave të Bashkisë Lezhë, në afërsi të kryqëzimit të Rrilës. Flakët kanë përfshirë mbetje ndërtimi dhe inerte, duke shkaktuar tym të dendur dhe shqetësim për banorët.

Forcat zjarrfikëse janë në terren, ndërsa qarkullimi në zonë vijon me vështirësi.

Bashkia e Lezhës ka reaguar pas zjarrit që përfshiu mëngjesin e sotëm një zonë pranë superstradës Lezhë–Milot, ku grumbullohen mbetje të riciklueshme. Nënkryetari i bashkisë, Fatjon Zefaj, ka deklaruar se zjarri ra rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe përfshiu një vend grumbullimi të mbetjeve të krijuara nga puna e Ndërmarrjes së Shërbimeve, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për mbetje organike.

Sipas tij, orari i shpërthimit të flakëve ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa theksoi se forcat zjarrfikëse dhe strukturat e bashkisë po punojnë për izolimin e zjarrit dhe eliminimin e tymit nga zona, me synimin që situata të vihet nën kontroll brenda ditës së sotme.

Zefaj shtoi gjithashtu se bashkia, në bashkëpunim me organizatën GIZ, është në proces për ngritjen e një qendre të posaçme për trajtimin e mbetjeve të riciklueshme, në mënyrë që ato të mos dërgohen më në landfill, por të përpunohen në vetë territorin e bashkisë. Kjo qendër pritet të jetë funksionale brenda këtij viti.

Bashkia e Lezhes u ka bere thirrje qytetarëve që të bejne kujdes gjate kesaj periudhe per te evituar zjarret, ndërsa paralelisht janë angazhuar edhe strukturat përkatëse për të hetuar rrethanat e ngjarjes dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.