Vendosni fjalën kyçe....

Teliti denoncon keqmenaxhimin në Bashkinë e Tiranës: Të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme


Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe përkeqësim të shërbimeve publike. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ai kërkon ndërhyrje urgjente dhe thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Teliti kritikon ashpër situatën aktuale në bashki, duke theksuar se qyteti po përballet me “abuzim të fondeve publike, mungesë shërbimesh dhe grumbullim të plehrave në rrugë.”

Ai përmend gjithashtu edhe trashëgiminë e inceneratorit të Tiranës, të cilin e quan “fantazëm që thithi miliona euro nga taksat tona”, duke shtuar se pagesat për këtë projekt vazhdojnë edhe më shumë se më parë.

“Tenderat e pilotuar, mungesa e ujit në shumë lagje, trafiku në rritje, dhe luks i shfrenuar i drejtuesve bashkiakë janë tashmë pjesë e përditshmërisë,” shkruan Teliti, duke e cilësuar situatën si “një parodi të qeverisjes lokale.”

Ai i drejton një pyetje qeverisë qendrore: “Çfarë e pengon të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë?”

Sipas Telitit, zgjedhjet e reja për Bashkinë e Tiranës janë e vetmja zgjidhje për “krizën e thelluar në menaxhimin dhe drejtimin e kryeqytetit.”