Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptari kapet në flagrancë duke shitur kokainë në plazh, dëbohet nga Italia


Një operacion i policisë italiane në Rimini ka çuar në arrestimin e një të riu shqiptar, i cili u kap në flagrancë ndërsa po shiste kokainë në zonën bregdetare të Miramares.

I riu, që ndodhej në Itali në mënyrë të paligjshme, ishte vënë nën mbikëqyrje prej disa ditësh nga oficerët e antidrogës, të cilët dyshonin për aktivitetin e tij të dyshimtë. Arrestimi u krye në momentin që ai po shiste një dozë kokaine një përdoruesi vendas.

Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth 5 gramë kokainë dhe sekuestroi gjithashtu 350 euro që dyshohet se ishin përfituar nga shitjet e drogës.

I riu nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm, por ndodhej në territorin italian në mënyrë të paligjshme. Ai u arrestua dhe iu nënshtrua një gjykimi të shkurtuar, ku u dënua me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 1200 eurosh. Dënimi me burg iu fal në këmbim të dëbimit të menjëhershëm nga Italia.

Më 19 qershor, pas përfundimit të procedurave nga Zyra e Imigracionit dhe me vendim gjyqësor, i riu shqiptar u shoqërua drejt kufirit ajror të Ankonës, ku u largua përmes një fluturimi drejt Shqipërisë.