Vendosni fjalën kyçe....

“Klubi i Mbyllur: Atomika, Gjeopolitika dhe Heshtja që Flet” – Enri Çeno



“Klubi i Mbyllur: Atomika, Gjeopolitika dhe Heshtja që Flet” – Enri Çeno

…pak gjeopolitik!

Kur më 6 dhe 9 gusht 1945, dy bomba atomike shkatërruan Hiroshimën dhe Nagasakin, bota hyri në një epokë të re – jo vetëm të shkatërrimit, por edhe të ekuilibrit. Ironikisht, arma më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit u bë një mjet për të ruajtur paqen. Dhe që prej atij momenti, ajo që njihet si Klubi Atomik ka qenë jo vetëm simbol i pushtetit absolut, por edhe një kartë gjeopolitike që shpesh vendos kufijtë e asaj që quajmë “rend botëror”.

Nga Manhattan te Moska: një barazpeshë e frikshme

Arma bërthamore u krijua nga amerikanët në kuadër të Projektit Manhattan, me ndihmën e shkencëtarëve evropianë të ikur nga nazizmi. Pas bombardimeve në Japoni, disa prej këtyre shkencëtarëve e kuptuan rrezikun e një monopoli të vetëm bërthamor. Klaus Fuchs, një fizikant britanik me simpati për Bashkimin Sovjetik, ishte një ndër ata që shpërndau informacion sekrete për sovjetikët – jo vetëm për ideologji, por edhe për të ruajtur një ekuilibër global: nëse një vend kishte kontroll të pakufizuar mbi një armë të tillë, rreziku për përdorim të njëanshëm do të ishte absolut.

Ky balancim i frikshëm mes SHBA-së dhe BRSS-së u bë themeli i doktrinës së shkatërrimit të sigurt reciprok (MAD), që në thelb thotë: nëse e përdor ti, do të shkatërrohesh edhe vetë. Kjo ishte formula e paqes gjatë Luftës së Ftohtë.

Zgjerimi i klubit dhe vendosja e një rendi të mbyllur

Me kalimin e dekadave, Klubi Atomik u zgjerua, por jo pa kufi:
• SHBA (1945),
• BRSS/Rusia (1949),
• Britania (1952),
• Franca (1960),
• Kina (1964).

Këta janë anëtarët origjinalë të “Klubit të Madh” – ata që kanë edhe një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë të OKB-së. Me kohën, erdhën edhe të tjerë:
• India,
• Pakistani,
• Izraeli (zyrtarisht jo i deklaruar),
• Koreja e Veriut (jashtë çdo traktati).

Por pas përvojës së Luftës së Ftohtë, konsensusi ndërkombëtar ishte i qartë: nuk duhet të shtohen më anëtarë. Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) u krijua për ta frenuar këtë zgjerim dhe për të ruajtur ekskluzivitetin e strukturës. Sipas këtij rendi, fuqia nuk matet vetëm me ekonomi apo ushtri, por me besueshmëri, stabilitet politik dhe përgjegjësi ndërkombëtare.

Irani, ajatollahët dhe “rreziku i papërgjegjshëm”

Prej dekadash, regjimi i ajatollahëve në Iran ka ndjekur një kurs sfidues ndaj këtij rendi. Me ambicie për të hyrë në klub, por me filozofi teokratike, represive dhe destabilizuese. Financimi i grupeve si Hezbollah, Houthis, Hamas dhe milicitë shiite në Irak, së bashku me qëllimin e shpallur për të “fshirë Izraelin nga harta”, e bëjnë një regjimi bërthamor të tillë një makth global.

Prandaj, kur SHBA goditi objektiva strategjike të programit bërthamor iranian herët sot, nuk pati ndonjë kundërshtim serioz nga Moska apo Pekini. Heshtja ishte pajtim. Rusia, e cila tradicionalisht ka pasur lidhje të mira me Teheranin, nuk u angazhua. Kina – partneri më i madh tregtar i Iranit – mbajti po ashtu profil të ulët. Sepse pavarësisht tensioneve me Perëndimin, askush nga anëtarët e Klubit Atomik nuk dëshiron një Iran bërthamor.

Gjeopolitika e heshtur

Në vitin 1962, gjatë krizës së raketave në Kubë, John F. Kennedy tha:

“Paqja nuk do të vijë nga paqja e varrosur nga frika, por nga baraspesha e frikës.”

Kjo baraspeshë funksionon vetëm kur lojtarët janë të lexueshëm, racionale dhe të parashikueshëm. Një regjim ideologjik që nuk luan sipas rregullave ndërkombëtare nuk mund të jetë pjesë e kësaj balance. Dhe për këtë arsye, Klubi Atomik është një klub i mbyllur – jo për shkak të arrogancës, por për shkak të nevojës për stabilitet ndërkombëtar.

Pse klubi nuk do zgjerohet më

Në epokën postmoderne, një ekonomi e madhe apo një ushtri e fuqishme nuk janë të mjaftueshme për të hyrë në Klubin Atomik. Në këtë klub nuk mjafton të jesh i fortë – duhet të jesh i përgjegjshëm. Prandaj Brazili, Japonia, Gjermania, Arabia Saudite apo Turqia – sado të fuqishme të jenë – nuk kanë vend në këtë tryezë.

Sepse, në fjalët e Henry Kissinger:

“Fuçia nuk është vetëm aftësia për të shkatërruar, por mençuria për të mos e bërë këtë.”

Sulmi i fundit amerikan ndaj objektivave bërthamore iraniane nuk është thjesht një akt ushtarak – është një deklaratë gjeopolitike: Klubi i madh mbetet i mbyllur. E ardhmja do të jetë e atyre që dinë të jetojnë në këtë realitet. Dhe për ata që e sfidojnë atë, përgjigjja nuk do të vijë gjithmonë me fjalë. Shpesh, heshtja është miratimi më i qartë.