Vendosni fjalën kyçe....

Trump mohon vlerësimin e drejtoreshës së inteligjencës Gabbard për programin bërthamor të Iranit


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të premten se drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, ka gabuar kur sugjeroi se nuk ka prova që Irani po ndërton një armë bërthamore.

Ajo gabon,” tha Trump para gazetarëve në aeroportin e Morristown, Nju Xhersi, duke kundërshtuar vlerësimet e mëparshme të komunitetit amerikan të inteligjencës.

Në dëshminë e saj para Kongresit në mars, Gabbard kishte deklaruar: “Komuniteti i inteligjencës vijon të vlerësojë se Irani nuk po ndërton një armë bërthamore.”

Por të premten, përmes një postimi në platformën X, Gabbard ndryshoi tonin, duke thënë: “Amerika ka informacione të inteligjencës se Irani është në pikën që mund të prodhojë një armë bërthamore brenda javësh ose muajsh, nëse vendos të përfundojë montimin. Presidenti Trump ka qenë i qartë se kjo nuk mund të ndodhë, dhe unë jam dakord me të.”

Ajo akuzoi mediat se e kishin nxjerrë dëshminë e saj të marsit “jashtë kontekstit” dhe po përpiqeshin të “fabrikonin përçarje” brenda administratës.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Trump do të vendosë gjatë dy javëve të ardhshme nëse SHBA do të përfshihet në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka justifikuar një javë sulmesh ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake iraniane me argumentin se Teherani është afër ndërtimit të një koka bërthamore.

Ndërkohë, Irani mohon të jetë duke zhvilluar armë bërthamore, duke deklaruar se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka qëllime vetëm paqësore.

Në mars, Gabbard kishte paralajmëruar se sasia e uraniumit të pasuruar që zotëron Irani është e paprecedentë për një shtet që nuk ka armë bërthamore, dhe se udhëheqësit iranianë kishin filluar të diskutonin publikisht për armët bërthamore, duke i dhënë zemër mbështetësve të linjës së ashpër në Teheran.

Një burim me qasje në raportet e inteligjencës amerikane tha për Reuters se vlerësimi i marsit nuk ka ndryshuar. Sipas këtij burimi, shërbimet amerikane të inteligjencës besojnë se Iranit do t’i duheshin deri në tre vjet për të ndërtuar një kokë bërthamore të aftë për t’u vendosur në raketë.

David Albright, ish-inspektor i OKB-së për çështjet bërthamore, tha se prodhimi i një pajisjeje bërthamore të thjeshtë do t’i kërkonte Iranit të paktën gjashtë muaj, por për të ndërtuar një armë të plotë të aftë për lëshim me raketë, do të duheshin një deri në dy vjet.

Presidenti Trump ka mohuar vazhdimisht gjetjet e shërbimeve amerikane të inteligjencës, duke pretenduar, pa prova, se ato janë pjesë e një “shteti të thellë” që kundërshton presidencën e tij. Tulsi Gabbard, një mbështetëse e fortë e Trump, ka qenë ndër ata që kanë mbështetur këto pretendime në të kaluarën.

Trump kishte pasur përplasje të shpeshta me agjencitë e inteligjencës edhe gjatë mandatit të tij të parë, përfshirë edhe për çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016, ku ai kishte mbështetur mohimet e presidentit rus Vladimir Putin përballë vlerësimeve të agjencive amerikane.