
Qeveria e Pakistanit ka njoftuar se do të propozojë presidentin amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes, duke e vlerësuar për rolin e tij në zbutjen e konfliktit të fundit midis Pakistanit dhe Indisë.
Njoftimi vjen në një kohë kur Trump po shqyrton mundësinë e përfshirjes ushtarake përkrah Izraelit në goditjen e objekteve bërthamore të Iranit.
“Presidenti Trump tregoi vizion strategjik dhe aftësi të jashtëzakonshme diplomatike përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me Islamabadin dhe Nju Delhin, çka solli uljen e menjëhershme të tensioneve”, thuhet në deklaratën zyrtare të Pakistanit, përcjell The Guardian.
“Kjo ndërhyrje është dëshmi e rolit të tij si paqebërës i vërtetë.”
Konflikti i përmendur përfundoi papritur në maj, pas katër ditësh përplasje midis dy fuqive bërthamore, pas një deklarate të Trump që shpalli një armëpushim. Ndërsa Pakistani i atribuon ndalimin e luftimeve ndërhyrjes amerikane, India e mohon çdo rol ndërmjetësues, duke këmbëngulur se marrëveshja për armëpushim u arrit në mënyrë dypalëshe.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump përmendi një listë konfliktesh që, sipas tij, i ka zgjidhur, përfshirë përplasjet Indi-Pakistan dhe marrëveshjet Abraham të arritura gjatë mandatit të tij të parë.
“Jo, nuk do ta marr Çmimin Nobel të Paqes, sado që të bëj… por njerëzit e dinë, dhe kjo është ajo që ka rëndësi për mua!”, shkroi ai.
Propozimi për nominim u bë publik të njëjtën javë kur shefi i ushtrisë pakistaneze, gjeneral Asim Munir, u takua me Trump gjatë një dreke në Shtëpinë e Bardhë – një takim i rrallë në prani të një qeverie civile në Islamabad.
Mushahid Hussain, ish-kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Senatin e Pakistanit, deklaroi se nominimi është i justifikuar: “Trump është i mirë për Pakistanin. Nëse ky vendim i shërben egos së tij, aq më mirë. Edhe liderët evropianë po e bëjnë të njëjtën gjë.”
Megjithatë, lëvizja ka nxitur reagime të forta brenda Pakistanit, për shkak të mbështetjes së hapur të Trump ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza dhe ndaj sulmeve të mundshme kundër Iranit.
“Babai sheqer i Izraelit në Gaza dhe përkrahësi i sulmeve ndaj Iranit nuk është kandidat për asnjë çmim”, shkroi analisti i njohur Talat Hussain në rrjetin X.
Qeveritë kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për Çmimin Nobel të Paqes, por deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga autoritetet amerikane apo indiane për këtë zhvillim.