Vendosni fjalën kyçe....

Khamenei emëron tre pasardhës të mundshëm


Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është strehuar në një bunker që prej nisjes së sulmeve izraelite dhe ka emëruar fshehurazi tre pasardhës të mundshëm në rast se vritet, raportoi të shtunën New York Times, duke cituar zyrtarë iranianë.

Sipas raportit, Khamenei, 86 vjeç, ka caktuar gjithashtu zëvendësues për komandën ushtarake më të lartë, duke pasur frikë se drejtues të tjerë të nivelit të lartë mund të jenë objektiv i sulmeve izraelite, pas vrasjes së disa komandantëve gjatë ditëve të para të përshkallëzimit të konfliktit.

Tre burimet iraniane, të cilat kërkuan të mbeten anonime, thanë se Khamenei tani komunikon me komandantët vetëm përmes një ndihmësi dhe ka ndërprerë çdo komunikim dixhital për të shmangur zbulimin, sipas Ynet.

Vendimi i tij për të identifikuar tre klerikë si pasardhës të mundshëm pasqyron nivelin e lartë të kërcënimit ndaj udhëheqjes së tij në këtë kohë lufte. Zyrtarët iranianë thonë se Lideri Suprem ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të ruajtur stabilitetin e Republikës Islamike që nga nisja e konfliktit.

Megjithëse struktura komanduese e ushtrisë mbetet funksionale, zyrtarët pranojnë se ajo është dëmtuar ndjeshëm. Deri tani, nuk ka shenja të një revolte të brendshme brenda regjimit.

Khamenei thuhet se e pranon mundësinë e vrasjes nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara dhe beson se, nëse vritet, do të vdesë si dëshmor.

Në një lëvizje të rrallë, ai u ka dhënë urdhër anëtarëve të Asamblesë së Ekspertëve—trupi që zgjedh liderin suprem—që të përzgjedhin shpejt pasardhësin e tij nga tre emrat e propozuar, për të siguruar një kalim të butë dhe të shpejtë të pushtetit.

Në kushte normale, procesi i zgjedhjes së një lideri të ri suprem zgjat me muaj, me klerikët që shqyrtojnë një listë kandidatësh.

Por në kushtet e tanishme lufte, Khamenei ka vënë në krye të prioriteteve vazhdimësinë e regjimit dhe ruajtjen e trashëgimisë së tij politike.

Më parë, djali i tij Mojtaba—edhe vetë klerik dhe i lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare Islamike—kishte qenë konsideruar si një pasardhës i mundshëm.

Megjithatë, sipas New York Times, ai nuk është mes emrave të paraqitur nga Khamenei.

Një tjetër kandidat i mëparshëm, presidenti Ebrahim Raisi, vdiq vitin e kaluar në një aksident me helikopter.

Që nga nisja e luftës, Khamenei ka publikuar dy mesazhe të regjistruara për popullin iranian, duke premtuar se regjimi nuk do të dorëzohet.

Ndërsa zakonisht operon nga një kompleks i sigurt në Teheran, vendimi i tij për të u strehuar në një bunker nënvizon intensitetin e sulmeve izraelite dhe frikën e thellë brenda udhëheqjes iraniane.

Raporti thekson gjithashtu se Ministria iraniane e Inteligjencës ka urdhëruar zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe komandantët ushtarakë të qëndrojnë të fshehur nën tokë dhe të mos përdorin telefona celularë apo pajisje të tjera komunikimi elektronike, nga frika e infiltrimeve apo atentateve të mundshme izraelite.

Dy burime iraniane thanë se ky urdhër reflekton shqetësimin serioz për mundësinë e sulmeve të mëtejshme kundër udhëheqjes së lartë të Iranit.