Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga dritarja: Më 11 korrik protestojmë kundër armikut më të rezikshëm të shqiptarëve


Kreu i PD-së Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut të thirrur nga opozita.

Në fjalën nga dritarja e shtëpisë, ku ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 ai tha se qytetarët do dalin të protestojnë për dinjitetin e tyre, për lirinë, për shpresën kundër qeverisjes së kryeministrit Rama.

Berisha e quajti kreun e qeverisë armikun më të rrezikshëm e të pashpirt të kombit ndërsa qeverinë e tij regjimin më armiqësor të shqiptarëve.

“Në historinë e lëvizjes demokratike të PD-së dhe opozitës shqiptare, 11 korriku shënon një datë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Me 11 korrik shqiptarët e zemëruar, shqiptarët e revoltuar dalin në shesh për dinjitetin e tyre. Dalin në shesh për atdhetarinë e tyre. Dalin në shesh për tu përballur me regjimin më armiqësor që kanë pasur ndonjëherë përballë. Dalin në shesh për tu përballë me armikun më të rrezikshëm, më të pashpirtë të kombit shqiptar, që po boshatis, po zbras Shqipërinë nga shqiptarët, si asnjë pushtues në histori. Dalin në shesh si shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët, si shpresa e fundit për një komb që po pakësohet çdo ditë  e më shumë. Dalin në shesh për një komb që po vidhet, si asnjë komb tjetër në Europë dhe botë. Dalin në shesh kundër një diktature të bazuar në aleancën e krimit, me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve, e cila ka konfiskuar votën e tyre, ka konfiskuar lirinë e tyre. Dalin në shesh përballë një njeriu, Edi Ramës, i cili me firmat e tij fap, fap, fap, e paf, paf, paf, ju vodhi shqiptarëve jo qindramilionë, por të kemi parasysh dhe portin e Durrësit, miliarda e miliarda euro. Ndërtoi në Shqipëri një sistem në të cilin, zyrtarë dhe qeveritarë në të gjitha nivelet, ndajnë paratë publike të vjedhura me familjarët e tyre. Ndajnë pasuritë publike njëri me tjetrin, kurse shqiptarëve u lënë rrugët e botës. Ndaj dhe 11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë kombit dhe botës se jemi shumica e tij. Se jemi shpresa e tij. Se jemi të vendosur në një betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës”, tha Berisha.