
Haifa dhe zona të tjera në veri, qendër dhe jug të Izraelit janë goditur nga raketat iraniane, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra personave. Tre persona, përfshirë një djalë 16-vjeçar, janë plagosur rëndë nga një prej raketave që goditi qytetin bregdetar.
Ekipet e shpëtimit të Magen David Adom (MDA) i transportuan të plagosurit në spitalet Rambam dhe Bnei Zion.
Ndërkohë, 14 persona të tjerë janë lënduar lehtë, shumica prej tyre duke pësuar trauma nga shpërthimi, sipas Ynetnews.
Raketat kanë goditur gjithashtu zonën e Shfaramit, ku dy persona të tjerë janë plagosur lehtë. Sulme të drejtpërdrejta janë raportuar edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Jeruzalemin, si pjesë e valës më të madhe të raketave iraniane që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit një javë më parë.
Sipas ushtrisë izraelite (IDF), Forcat Ajrore kanë goditur objektiva ushtarake në pjesën qendrore dhe perëndimore të Iranit.
Zëdhënësi i IDF-së bëri të ditur se avionët luftarakë, të udhëhequr nga të dhëna të sakta të inteligjencës ushtarake, goditën selinë e sigurisë së brendshme të Iranit dhe njësi speciale të lidhura me regjimin, të vendosura në zonën e Teheranit.
Ndërkohë, burime izraelite pretendojnë se një shkencëtar bërthamor iranian është eliminuar gjatë një sulmi me dron në lagjen Gisha të Teheranit. Sipas “Iran International”, objektivi ishte një kompleks që përdorej nga milicia Basij e Gardës Revolucionare Iraniane.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, zhvilloi një takim vlerësimi sigurie me shefin e shtabit të IDF-së, gjeneralin Eyal Zamir dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë. Pas takimit, ai urdhëroi intensifikimin e sulmeve ndaj regjimit iranian.
“Duhet të godasim të gjitha simbolet e regjimit dhe instrumentet e tij të shtypjes si Basij, si dhe themelet e fuqisë së tij si Garda Revolucionare. Qëllimi është të shkaktojmë evakuime masive nga Teherani, të destabilizojmë regjimin dhe të rrisim fuqinë parandaluese,” deklaroi Katz.
Zëdhënësi i IDF-së, gjeneral brigade Ephraim Defrin, tha se gjatë natës mbi 50 avionë luftarakë izraelitë fluturuan mbi Teheran dhe goditën objektiva ushtarake. Ai konfirmoi gjithashtu se Irani kishte planifikuar një sulm më të madh ndaj qytetit Be’er Sheva, i cili u godit direkt nga një raketë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e dënoi ashpër ofensivën izraelite në një fjalim në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Ai tha: “Irani është nën sulm nga një entitet që ka kryer gjenocid në Palestinë për dy vjet dhe pushton vendet fqinje. Sulmet ndaj objekteve publike dhe shkencëtarëve tanë nuk mund të justifikohen.”
Ai shtoi se nuk do të ketë negociata për sa kohë që sulmet izraelite vazhdojnë, duke akuzuar SHBA-në për bashkëfajësi në agresionin izraelit.
Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve. Sipas burimeve diplomatike nga Parisi, Berlini dhe Londra, tri vendet po punojnë për një propozim të përbashkët për t’ia paraqitur Iranit me qëllim rifillimin e negociatave dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Ndërkohë, në portin e Ashdodit ka mbërritur anija e parë e shpëtimit që transportonte afërsisht 2,000 izraelitë e evakuuar nga Limasoli i Qipros, në një operacion të koordinuar nga ministrja e Transportit, Miri Regev.